Kurti i ankohet kryesindikalistes evropiane për Jasharajn: Doli dhe tha greva vazhdon

  • A.P /
  • 21 September 2022 - 19:58
Kurti i ankohet kryesindikalistes evropiane për Jasharajn: Doli dhe tha greva vazhdon

As pas intervenimeve nga sindikatat e nivelit evropian, nuk është arritur një marrëveshje për ndërprerjen e grevës në sektorin publik.

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Drejtoreshën Evropiane të Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim (ETUCE), Susan Flocken, së bashku me përfaqësuesit e Këshillit Grevist, me kryetar Rrahman Jasharaj.

Sipas njoftimit, Kurti ka potencuar rëndësinë e mësimdhënësve për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve, marrë parasysh angazhimin e tyre pedagogjik, emocional dhe psikologjik gjatë dhe pas orarit të punës.

“Nisur nga kjo e në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për mësimdhënësit, Kryeministri Kurti e informoi znj.Flocken se Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për arsim sivjet për 12%. Po ashtu e njoftoi për Pakon për Përballjen me Inflacionin, në vlerë prej 150 milionë euro, e cila ofron mbështetje financiare për punëtorët e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, nëpërmjet shtesës prej 50 euro, minimalisht për të gjithë muajt e mbetur të vitit. Një rritje e këtillë tejkalon shkallën e inflacionit në vend. Në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u theksua se Qeveria ka proceduar projektligjin për Paga në Sektorin Publik, që ka qenë kërkesë qendrore e kahmotshme sindikale, ndërsa është trajtuar që nga fillimi me prioritet nga Qeveria. Projektligji për Pagat në Sektorin Publik tashmë është në dëgjim publik”, thuhet në njoftimin e ZKM-së

Tutje, qeveria njofton se është ritheksuar domosdoshmëria që sindikatat të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për ligjin për pagat, ligj ky i cili, sipas qeverisë, ka për qëllim të sigurojë barazi dhe trajtim të dinjitetshëm të sektorit publik në vend.

Image

(Kosova Sot Online)