Rezoluta e Shqipërisë kundër trafikimit të organeve, ja çfarë po ndodh në Strasbourg

  • A.P /
  • 22 September 2022 - 17:11
Rezoluta e Shqipërisë kundër trafikimit të organeve, ja çfarë po ndodh në Strasbourg

Parlamentarët e Shqipërisë u mblodhën në korrik të këtij viti për miratimin e një rezolute përmes së cilës i kërkohet Këshillit të Europës që në mungesë provash të shfuqizohet Rezoluta e vitit 2011, e cila mbështet raportin e Dick Martyt, nga e cila janë ngritur aktakuzat për disa ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një muaj pas Rezoluta e Kuvendit shqiptar u dorëzua në Këshill të Europës megjithëse mbeti në pikëpyetje nëse do ta marrë parasysh kërkesën e Shqipërisë organizata e vjetër europiane për të drejtat e njeriut. 

Këshilli i Europës ka treguar se ku gjendet ky proces dhe procedurat që nevojiten për ta shtyrë përpara miratimin e një rezolute.

“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë është pranuar dhe është sjellë në vëmendje të Presidentit të Asamblesë”, thuhet në përgjigjen

Për të votuar këtë Rezolutë të hartuar nga Shqipëria hapi i parë që duhet të bëhet është inicimi i një mocioni – hap që ende s’është ndërmarrë nga askush.

“E vetmja mundësi që Kuvendi të marrë një qëndrim për çdo temë është votimi i një rezolute dhe/ose rekomandimi. Sipas rregullores së Asamblesë, hapi i parë në procesin që mund të çojë në një votim të tillë është paraqitja e një mocioni. Deri më sot, asnjë mocion për këtë temë nuk është paraqitur”, thuhet më tej në përgjigje.

Kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet Këshillit të Evropës më 12 tetor për raportin e Dick Marty, në lidhje akuzat e trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

 Si shkojnë procedurat kur një rezolutë dorëzohet në Këshill të Europës?

Rekomandim është një propozim i Asamblesë drejtuar Komitetit të Ministrave, zbatimi i të cilit është jashtë kompetencës së Asamblesë, por brenda kompetencës së qeverive.

Një rezolutë përthekon një vendim të Asamblesë për një çështje thelbësore të cilën ajo është e autorizuar për ta vërë në fuqi, ose një shprehje pikëpamjeje për të cilën është përgjegjës vetëm ajo.

Mocioni për një rekomandim ose rezolutë jo më shumë se 300 fjalë duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 përfaqësues ose zëvendësues që i përkasin të paktën pesë delegacioneve kombëtare ose të miratohet me kuorumin e nevojshëm nga një komision.

Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, Rezoluta “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri” u është dërguar edhe vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës dhe disa drejtuesve të Këshillit të Europës.

“Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Martyt nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi”, thuhet në kërkesën e Shqipërisë drejtur Këshillit të Europës.

Në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty-t “për vrasje të personave me qëllim të shitjes së organeve të tyre dhe trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte”.

Rezoluta e Shqipërisë po ashtu i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë rezolutën e vitit 2011, rezolutë e miratuar bazuar në raportin e Dick Marty.

(Kosova Sot Online)