Vetëvendosje mban zgjedhjet e brendshme, Kurti hedh votën e tij

  • A.P /
  • 25 September 2022 - 11:22
Vetëvendosje mban zgjedhjet e brendshme, Kurti hedh votën e tij

Lëvizja Vetëvendosje sot është duke e mbajtur procesin e brendshëm zgjedhor. Qendrat e votimit janë hapur në orën dhjetë dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Votën e tij tashmë e ka dhënë edhe kryeministri Albin Kurti, njëherit kandidati i vetëm sërish edhe për një mandat në krye të LVV-së.

Ai ka falënderuar  të gjithë anëtarët e partisë së tij për punën që kanë bërë deri më sot.

“Sot është ditë e demokracisë në LVV. Në 46 degë të Vetëvendosjes mbahen zgjedhje për kryetar të lëvizjes, strukturës, rinia për LVV dhe gratë për LVV. Urime e gëzuar të gjithëve”, tha shefi i qeverisë para gazetarëve.

Votën e saj e ka hedhur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Haxhiu në një postim në Facebook ka shkruar se sot është dita e demokracisë në LVV.

“Ftoj të gjithë anëtarët që të shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes, për të vendosur jo vetëm për lëvizjen por edhe për vendin përmes votimit të tyre në organizatën politike më të madhe në vend”, ka shkruar Haxhiu. 

(Kosova Sot Online)