Sindikata e punëtorëve shëndetësorë: Të anulohet urdhëresa që infermieri ta thërret mjekun, ai duhet të jetë në repart

  • E.K /
  • 27 September 2022 - 15:09
Sindikata e punëtorëve shëndetësorë: Të anulohet urdhëresa që infermieri ta thërret mjekun, ai duhet të jetë në repart

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitare që t’i anulojë disa urdhëresa, ndër të cilat edhe Urdhëresën e cila e obligon infermierin që ta ftojë mjekun në “rast nevoje”, pasi sikurse infermieri, po ashtu edhe mjeku janë subjekte që i nënshtrohen obligimeve kontraktuale.

Në reagimin e Sindikatës thuhet se duke e respektuar kohën e fazës së tranzicionit dhe të akomodimit të menaxhmentit të ri të SHSKUK/QKUK, kërkojnë që deri të premten kur do të jetë takimi i radhës së Kryesisë dhe Këshillit Drejtues, këto urdhëresa të shfuqizohen.

Më tej thuhet se në rast të injorimit dhe mos-reflektimit do të marrim vendimin për masa dhe veprime sindikale, të cilat nuk përjashtojnë protestat dhe grevat.

Lexoni të plotë reagimin e Sindikatës:  

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së me qëllim të ruajtjes së paqes sociale, me qëllim të ruajtjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe evitimit të masave sindikale fton publikisht SHSKUK/QKUK-në që t’i anuloj urdhëresat si në vijim :

Urdhëresën që infermieri të shkruhet në hyrje/dalje nga dhoma e pacientit, duke e konsideruar si urdhëresë diskriminuese dhe përdorim të standardit të dyfishtë pasi komunitetet tjera nuk i nënshtrohen kësaj urdhërese,

Urdhëresa që infermierët të bëjnë evidentimin e frekuentimit të palëve civile nëpër klinika të QKUK- së duke e konsideruar urdhëresë e cila nuk bënë pjesë në përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të infermierit,

Urdhëresa e cila thotë që infermierët e turneve duhet të marrin obligimin e sigurimit me barëra gjatë vikendeve, punë për të cilën infermierët e turneve nuk e kanë obligim dhe as nuk kompensohen për këtë detyrë,

Urdhëresën e cila e obligon infermierin që ta ftoj mjekun në rast nevoje, pasi sikurse infermieri, po ashtu edhe mjeku janë subjekte që i nënshtrohen obligimeve kontraktuale, ndërsa secila klinike tashmë ka mjekët dhe infermierët e tyre kujdestar, ndërsa si të tillë as infermieri e as mjeku nuk do duhej të ketë nevojë për ftesë, pasi do duhej që të ishin në vendet e tyre të punës duke mos pasur nevojë për ftesa.

Duke e respektuar kohën e fazës së tranzicionit dhe të akomodimit të menaxhmentit të ri të SHSKUK/QKUK, kërkojmë që deri ditën e Premte, datë 30/09/2022, ditë kur do kemi takimin e radhë së Kryesisë dhe Këshillit Drejtues, këto urdhëresa të shfuqizohen, ndërsa në rast të injorimit dhe mosreflektimit, do marrim vendimin për masa dhe veprime sindikale, të cilat nuk përjashtojnë protestat dhe grevat. 

(Kosova Sot Online)