
Ja kush po kërkon pavarësinë duke përdorur pretekstin e Kosovës

Partia Kombëtare Skoceze (SNP) ka thënë se skocezët janë një popull dhe e ka krahasuar përpjekjen për pavarësi me çështjen e Kosovës, në një betejë gjyqësore për referendum të ri.
Në kërkesën në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, që është pyetur nëse duhet të lejojë Skocinë të mbajë referendum të ri pa lejen e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, partia ka thënë se skocezët kanë të drejtë “të patjetërsueshme” për të vetëvendosur.
Shumica dërrmuese e ekspertëve besojnë që kërkesa e lideres së partisë, Nicola Sturgeon, për referendum të ri në tetorin e vitit të ardhshëm ka për të marrë përgjigje negative, pasi Akti i Skocisë e bën të qartë që Rezidenca Mbretërore në Skoci nuk mund të nxjerrë ligje në vete, për zona brenda Mbretërisë.
Gjithsesi, SNP-ja ka thënë se përderisa Parlamenti Britanik mund të jetë ligjvënësi suprem në Mbretëri të Bashkuar, “nuk mund të ndërhyjë në të drejtën themelore të vetëvendosjes”.
Partisë iu lejua nga Supremja ta bëjë arsyetimin e vet me shkrim. Në letrën e SNP-së u citua Karta e 1945-s e Kombeve të Bashkuara, një rast gjyqësor të Kanadasë për Quebecun dhe përkrahjen e Britanisë për pavarësinë e Kosovës më 2008, si argumente për të lejuar referendumin për pavarësi.
Është cituar edhe një deklaratë e Kombeve të Bashkuara e vitit 1984 kur thuhej se pushteti duhet të jetë në duart e popullit dhe jo të qeverive. Arsyetimi vazhdon me dokumente të lashta, duke përfshirë dy të viteve 1689 dhe 1707 që argumentojnë se skocezët duhet të konsiderohen “si popull”.
“Një popull mund të definitohet duke iu referuar kufijve shtetërorë, siç ishte shpesh rasti i pavarësisë së territoreve ish-koloniale”, thuhet në dokument. “Megjithatë, ky s’është përkufizimi i vetëm i mundshëm dhe është plotësisht e mundshme – si me Kosovën – që ‘një popull’ të përfaqësohet nga një grup më i vogël brenda një kufiri shtetëror”.
Skocezët patën tentuar pavarësinë edhe më 2014, por 55 për qind e votuesve në referendum dolën kundër.
(Kosova Sot Online)