Kosova e Serbia 'thellohen' në diskutime për planin franko-gjerman

  • A.P /
  • 24 October 2022 - 16:03
Kosova e Serbia 'thellohen' në diskutime për planin franko-gjerman

Njëherë si spekulim, pastaj u konfirmua nga të gjithë. Së voni kanë nisur të bëhen kërkesa, që propozimi franko-gjerman të pranohet. SHBA-ja zyrtarisht e përkah plotësisht atë propozim, ndërsa akterë të tjerë në Evropë sugjerojnë që Kosova t’i thotë po. Burime thonë se diskutimet për planin franko – gjerman janë thelluar në takimet që palët i mbajnë me ndërmjetësit.

Ekzistenca e një propozimi franko-gjerman, si kornizë e re e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, më nuk mohohet. Javën e fundit kanë nisur kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë, që një plan të tillë ta pranojnë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është zyrtari më i lartë ndërkombëtar, i cili ka folur haptas për një plan të propozuar nga Franca dhe Gjermania.

Kryeministri Albin Kurti dy javë më parë thoshte se gjithçka është në “gjendje të lëngët” dhe duhet ngurtësuar diçka për ta bërë publike, por Escobar fliste për diçka shumë serioze.

Diplomati amerikan tha se SHBA-ja e përkrah plotësisht propozimin e aleatëve evropianë. 

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike. Po, e mbështesim plotësisht”, ka thënë Escobar në një intervistë televizive.

Por, burime bëjnë me dije se palët në takimet që kanë pasur me ndërmjetësit, pas dorëzimit të planit franko – gjerman, i cili përmban elemente për të cilat zyrtarisht ende s’ka informata, tashmë kanë zhvilluar diskutime të thella rreth tij.

Por, publikisht, nuk ka shumë entuziazëm.

Kryeparlamantari Glauk Konjufca I cili dje u konfirmua si njeriu i dytë në Vetëvendosje sot u shpreh se nuk është shumë optimist se do të ketë marrëveshje të shpejtë. Ai këtë e lidhi me zhvillimet me në Serbië dhe shpallljen e qeverisë atje, e cila sipas tij ka orientim pro rus.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë të ditur se Kryeministri Kurti e ka një afat të caktuar se kur duhet t’u përgjigjet zyrtarëve francezë dhe gjermanë rreth propozimit që ia kanë bërë.

Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, përfshihet në secilin diskutim që lind ndërkombëtarisht e që ka të bëjë me Kosovën. Ajo në disa raste s’është pajtuar me rekomandimet që i bëheshin  Kosovës në raport me Serbinë, sidomos gjatë angazhimit të ish-emisarit amerikan, Richard Grenell.

Por, kësaj radhe, von Cramon i kërkon Kosovës që ta pranojë propozimin që shteti i saj dhe Franca e kanë së fundmi, përmbajtja e të cilit është akoma e pakonfirmuar.

“Shumë njerëz kanë shkruar për këtë lloj propozimi franko-gjerman. Mendoj që ky është një rast i mrekullueshëm që të ecët përpara të dyja palët drejt integrimit evropian që mendoj që është absolutisht i nevojshëm dhe Kosova si vendi më pro evropian duhet ta përkrah këtë”, ka thënë të hënën von Cramon në Prishtinë.

Profesori amerikan, Daniel Serëer, njohës i Ballkanit Perëndimor, i ka thënë gjatë javës së kaluar se ai nuk pret se do të pranohet propozimi franko-gjerman, ndonëse do ta gëzonte nëse do të pranohej.

“Dyshoj se Kosova do ta pranojë një dekadë vonesë. Gjithashtu, dyshoj se Vuçiq do të premtojë për ta njohur Kosovën, kurdoherë. Por, do të isha i lumtur po ta bënin”, ka thënë Serëer

Se çka propozojnë francezët dhe gjermanët, zyrtarisht është akoma e panjohur. Në një raportim medial, thuhej se marrëveshja parashihet të arrihet brenda një viti, përmes së cilës, Kosova do ta fitonte njohjen e shteteve mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të përfitonte ndihma të mëdha ekonomike. Por, njohja reciproke, sipas këtij raportimi, do të ndodhte pas një periudhe të gjatë kohore.

Presidentja Osmani thotë se periudha 10-vjeçare, e përmendur rreth propozimit, është e pavërtetë.

“Nuk ka propozuar askush që të pritet për marrëveshje për dhjetë vjet, kështu që ka lloj insinuatash, dezinformatash lidhur me atë se çfarë po kërkojnë partnerët tanë prej nesh”, ka thënë Osmani

Ajo thotë se qëllimi i Kosovës është marrëveshja finale, me njohjen në qendër.

“Ne e vlerësojmë rolin e partnerëve tanë për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi. Qëllimi i Kosovës gjithnjë ka qenë për marrëveshje finale dhe njohje në qendër, dhe ne angazhohemi në atë drejtim”.

Publicisti Agon Maliqi thotë është legjitime që Kosova të kërkojë dhe të angazhohet në dialog për njohjen e ndërsjellë.

“Realisht në kontekstin e sotëm, në pamundësinë e aleatëve për ta detyruar njohjen formale, Kosova duhet t’i shqyrtojë mundësitë që i ofron kjo “njohja e tërthortë” përmes së ciles Serbia pranon të mos e kontestojë Kosovën ndërkombëtarisht, gjë që na i hap rrugët mbi të gjitha për njohjen e pesë shteteve në Evropë që nuk na njohin dhe rrugën drejt NATO-s”, ka thënë Maliqi 

(Kosova Sot Online)