
1 i vdekur dhe 13 të plagosur në 2 shpërthime në Jerusalemin Perëndimor

Dy shpërthime ndodhën në Jerusalemin Perëndimor të mërkurën, sipas policisë izraelite, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Një deklaratë e policisë tha se shpërthimi i parë ndodhi pranë një stacioni autobusi në hyrje të Jeruzalemit Perëndimor. Një tjetër shpërthim u raportua në kryqëzimin Ramot të qytetit.
“Pas shpërthimit që ndodhi pranë një kryqëzimi në hyrje të Jerusalemit pranë stacionit të autobusëve të mërkurën në mëngjes, një tjetër shpërthim ndodhi pranë stacionit të autobusëve në kryqëzimin Ramot në Jerusalem,” tha policia.
Sipas policisë, në dy shpërthimet mbeti i vrarë një izraelit dhe 13 të tjerë u plagosën.
Shkaku i shpërthimeve nuk është ende i qartë.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se shpërthimi i parë u shkaktua nga një mjet shpërthyes në një çantë.
“Policia dyshon se autori ka mbërritur me një biçikletë elektrike dhe ka vendosur mjetin shpërthyes”, tha transmetuesi.
Policia izraelite nisi një hetim në lidhje me mundësinë e një lidhjeje midis dy shpërthimeve.
Sipas radios së ushtrisë, policia izraelite ngriti nivelin e gatishmërisë në Jerusalem pas shpërthimeve.
Ministri në largim i Mbrojtjes Benny Gantz mbajti gjithashtu një seancë sigurie për të vlerësuar situatën. Zyra e Kryeministrit izraelit tha gjithashtu se do të mbajë një seancë vlerësimi të sigurisë më vonë të mërkurën.
*Ikram Imane Kouachi kontribuoi në këtë raport.
(Kosova Sot Online)