
Kurti: Të vëmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim vetën a e kemi bërë detyrën që e kishim për atdheun!

“Gëzuar 28 nëntorin historik të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë e Adem Jasharit në Prekaz”, ka theksuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së përbashkët mes dy kuvendeve sot në Tiranë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Disa ditë para festës së flamurit, Gurakuqi që kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi shkruante ‘e kremtja e 28 nëntorit duhet të jetë jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën e mbledhim mendjen e të bëjmë shqyrtimin e vetëdijes sonë. Në këtë ditë duhet të vëmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim vetën në e kemi bërë gjithëkund e gjithmonë detyrën që e kishim për atdheun. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njëri-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë që sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë’. Mbaron citati”, tha tutje Kurti.
Kurti fjalimin e vazhdoi me disa këshilla. Sipas tij Kosova e Shqipëria duhet të përfshihen në çështjen publike të njëra-tjetrës, mirëpo “jo për të penguar, por për të kontribuar”.
“Ndarjet krahinore, bajraktarizmat, ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengeesë e prapambeturi edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia nuk janë qifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta kala ku e vëmë të gjithë nga një gur. Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme, kritikat njëri-tjetrit. Të punojmë së bashku”.
(Kosova Sot Online)