Nga Josifi tek Olsi Rama e Xhaçka, Berisha tregon kokat e grabitjes me Bitcoin: Amanti ia mbathi në Dubai sepse atje është “parajsa”

  • E.K /
  • 03 December 2022 - 11:40
Nga Josifi tek Olsi Rama e Xhaçka, Berisha tregon kokat e grabitjes me Bitcoin: Amanti ia mbathi në Dubai sepse atje është “parajsa”

MARIGLEN KUME

Ish-Kryeministri Sali Berisha vijoi edhe dje denoncimet në lidhje me skandalin e grabitjes së 2.2 miliardë eurove përmes call centerave, që zotërohen në Shqipëri nga këshilltari i ministres Xhaçka, Amant Josifi.

Nga foltorja e selisë së Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se call center-at që kanë grabitur mbi 200 mijë shtetas evropianë mbroheshin nga vëllai i Kryeministrit Rama, Olsi Rama. Ndërkohë, akuzoi qeverinë se ka lajmëruar Josifin që të largohet pasi mori informacion për aksionin ndërkombëtar kundër call center-ave.

“Unë këtu kam dalë disa herë para jush, kam dalë disa herë për vjedhjen e 2.2 miliardë eurove nga rrjeti i Amant Josifit. 2.2 miliardë nga ortaku i Edi Ramës. Me dokumente. Edi Rama ka qenë ortak me Amant Josifin. Amant Josifi, i mbuluar politikisht krejtësisht nga Edi Rama dhe Olta Xhaçka, se ka qenë këshilltar i saj.

Në të gjithë mafiozitetet e tij, Amanti ka pasur notere Natasha Xhaçkën, mamanë e ministres strategjike. Truri i kësaj vjedhje të madhe është Olsi Rama, bashkëshorti i Olta Xhaçkës dhe jo më pak Pranvera Strakosha”, tha Berisha. Ndërkohë, për qytetarët shqiptarë Berisha tregoi rekordet edhe të mëparshme të Josifit.

Sipas tij, çdo akt mafioz këshilltari i ministres Xhaçka i noterizonte te mamaja e ministres. Ndërkohë që mamaja e Josifit është akuzuar për kontrabandë fëmijësh. Natasha dhe Pranvera, që ta dini ju, kanë qenë në ndjekje penale për adaptime, mafie e adaptimit të fëmijëve. Por strumbullar është qeveria në këtë aferë.

Është e katërta herë që e denoncoj unë këtu këtë. Ku është Amanti tani, thoni ju? Amanti e njoftuan dhe ia mbathi. Disa burime më thonë se ka shkuar në Dubai. Se atje ua paraqit ai të gjithë Bitcoin-ët e vjedhur. Se i kanë vjedhur në mënyrë skandaloze. Vendose në këtë aplikacion dhe nga aplikacioni i Bitcoin-it, pa i thënë asgjë pronarit, e fusnin në kuletën e tyre dixhitale. I kthenin në euro e dollar, lek, për të ndërtuar Dubain e Ramës apo të tjera kulla. Kurse një pjesë të tyre, se ato ishin 2.2 miliardë, i depozitonin në Dubai.

Dhe këta që i blinin, i çonin në Dubai. Dubain e kanë parajsën. Por edhe atje, fatmirësisht, FBI ka bërë operacione jashtëzakonisht sensitive. Uroj dhe shpresoj që t’i shkojnë deri në fund. Të kuptojnë shqiptarët atëherë se gjithçka në këtë qeveri është mafioze, mafioze dhe vetëm mafioze”, vijoi Berisha.

PORTI I DURRËSIT

Edhe Projekti i Portit të Durrësit ku parashikohet se do të investohen 2.1 miliardë euro, Berisha tha se do ndërtohet me paratë e krimit. Ai denoncoi se në Durrës kanë nisur shitjet pa u botuar akoma ligji në Fletoren Zyrtare, ndërsa çmimet nuk janë ato të paraqitura në projekt, por dyfish.

Në Durrës, sipas Berishës, nuk do të blejnë bandat shqiptare, por edhe personat me probleme me ligjin nga vende të tjera.

“Porti i Durrësit, po shiten apartamente, pa dalë në Fletoren Zyrtare ligji. U bëj thirrje qytetarëve, me çfarë çmimi thoni ju? 3 mijë euro. Dubai i Edi Ramës dhe arabit të tij, po ngrihen të gjitha mbi paratë e krimit. Jo vetëm të Shqipërisë, por të mbledhura edhe nga vendet e tjera. Ndaj na duhen ato pasaportat e arta. Vendi është në rrezik të jashtëzakonshëm. Kjo mafie nuk ka asnjë parim, asnjë interes.

Ndaj edhe unë e denoncoj edhe njëherë dhe i them edhe njëherë zotit Alabar, që është një miliarder. Hiq dorë nga kjo aferë, se pse shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë. Zotëri, kjo është plaçkitja më e madhe që i bëhet kombit shqiptar në pronë publike. Prandaj mos përziej aksionet e tua me Edi Ramën. Se e keni parë ju nga një dalje televizive në një tjetër dalje televizive, Albari sikur është i dërguari i Allahut apo i vëllai të Profetit. Ka gjithçka në interesin e tij personal dhe familjar”, u shpreh ish-Kryeministri Berisha.

(Kosova Sot Online)