Policët në Veri mbetën pa ushqim, EULEX njofton se i ka furnizuar pas kërkesës së policisë

  • E.K /
  • 21 December 2022 - 07:58
Policët në Veri mbetën pa ushqim, EULEX njofton se i ka furnizuar pas kërkesës së policisë

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka njoftuar se pas kërkesës së Policisë së Kosovës, të shtunën e 17 dhjetorit dërguan furnizime thelbësore për forcat e rendit.

“Me kënaqësi ju njoftoj se pas kërkesës së Policisë së Kosovës, EULEX, më 17 dhjetor, oficerëve të Policisë së Kosovës në pikën e përbashkët të kalimit në Rudnicë/Jarinjë u ka dorëzuar furnizime esenciale, duke përfshirë furnizime ushqimore, veshmbathje si dhe mjete higjienike”, ka shkruar Wigermark.

Albanian Post qysh para 10 ditësh pati raportuar se afër 20 policë të Kosovës, të njësive të ndryshme, nga 10 dhjetori kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare në Jarinjë, pa furnizime ushqimore e higjienike.

Për këtë arsye edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, kishte lëshuar një komunikatë me anë të së cilës i bëhej thirrje Qeverisë së Kosovës, Presidencës, KFOR-it, EULEX-it e ambasadave të QUINT-it, që të ndërmarrin të gjitha veprimet që të sigurohet lëvizja e lirë për policët të cilët kanë mbetur të bllokuar qe 11 ditë në pjesën veriore të vendit.

Ndryshe, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) gjatë ditës së martë, në koordinim edhe me Policinë e Kosovës, ka bërë transportimin e nëntë zyrtarëve policorë nga Veriu i Mitrovicës për në Jug të saj, pasi të njëjtit kishin mbetur të ngujuar në vendet e tyre të punës ndërkohë që serbët kishin ngritur barrikada në rrugë duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe autoriteteve.

Kështu të paktën ka bërë të ditur në një përgjigje për Albanian Post, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili njoftoi se policët janë transportuar nga komuna e Leposaviqit dhe pikë kalimi kufitar në Jarinjë për në jug të Mitrovicës për “shkaqe shëndetësore kronike”.

Vlen të përmendet se një grup i madh anëtarësh të ‘Narodne Patrole’, një organizatë nacionaliste serbe me lidhje me grupin paraushtarak rus “Wagner”, ishin mbledhur gjithashtu të dielën në anën serbe të kufirit Serbi-Kosovë duke kërcënuar se do të përballeshin me trupat e NATO-s.

Qeveria e Kosovës, përmes kryeministrit Albin Kurti, kishte njoftuar se po pret nga KFOR-i që të intervenojë për largimin e barrikadave.

(Kosova Sot Online)