Ja kush e mbron gjyqtarin që vendosi për Pantiqin

  • A.P /
  • 29 December 2022 - 18:15
Ja kush e mbron gjyqtarin që vendosi për Pantiqin

Duke filluar nga ndryshimi i masës ndaj Dejan Pantiqit, ish-polic i akuzuar për organizimin e një sulmi terrorist në veri krijuan disa dyshime dhe akuza, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryeministri Kurti në reagimin e parë të tij për dërgimin e Pantiqit në arrest shtëpiak, ua ka lënë fajin prokurorit dhe gjyqtarit të rastit.


“Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak… jam kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim”, tha Kurti.

Kurtin e ndoqi menjëherë Lëvizja Vetëvendosje. “Ky aktlirim është akttradhëti”, u tha nga ky subjekt.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Mentor Bajraktari, që një ditë më parë ishte zgjedhur nënkryetar i Gjykatës dhe Prokurori special, Afrim Shefiu, u shpallën tradhtarë. U desh pak kohë që nëpër kryeqytet të vendosen grafite, me emrat e prokurorit dhe gjykatësit.

Nga Gjykata Themelore i kanë thënë të enjten se vendimi për arrest shtëpiak të Pantiqit është marrë “në bazë të ligjit”.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë për ndryshimin e masës së sigurisë për të pandehurin D.P ka vendosur në bazë të ligjit, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

 Të pyetur rreth lidhjeve që ia kanë bërë këtij vendimi të gjykatës me një marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë, nga Gjykata kanë thënë se nuk i komentojnë “reagimet politike dhe tendecioze”.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dje ka bërë reagim publik, të cilin ne e mbështesim fuqishëm si gjykatë, andaj rezervohemi si gjykatë ti komentojmë reagimet politike dhe tendencioze, gjithashtu kërkojmë nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për trajtimin e këtij rasti, ndaj atyre që kërcënuan dhe linçuan gjyqtarin e kësaj çështje”.

Gjykata Themelore në Prishtinë do që t’i garantoj qytetarët se vendimet e saj do t’i ndërmarrë “bazuar në ligj dhe kushtetutë”, ndërsa u ka kërkuar të gjithëve të përmbahen nga komentimi i tyre.

Në reagimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilit i referohet Gjykata sot, u shpreh shqetësim që Kryeministri Kurti pyeti se kush ishte gjykatësi e prokurori që vendosi, përkatësisht kërkoi, t’i ndërrohet masa e paraburgimit Pantiqit.

“Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, thuhej në reagimin e KGJK-së.

(Kosova Sot Online)