Zbulohen planet që Boris Johnson kishte për Kosovën

  • A.P /
  • 02 January 2023 - 12:25
Zbulohen planet që Boris Johnson kishte për Kosovën

Përveç se ishte ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, Boris Johnson  është edhe historian dhe një kohë ka punuar si gazetar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kur Rusia provoi pushtimin e Ukrainës, mes qyteteve që u bombarduan ishte edhe kryeqyteti Kievi.

Johnson qe një nga liderët që me intensitet të madh u angazhua  Ukrainën dhe me mobilizimin e botës perëndimore kundrejt Rusisë.
Në një konferencë për media në Estoni, duke vënë në funksion memorien e tij prej historiani ai u kthye në vitet 90-ta për të bërë një krahasim.

Bombardimi i Kievit, tha Johnson, “ma kujton bombardimin e Sarajevës nga serbët”, kur bombardohej qendra e qytetit.

“Për mua ka një ndjenjë të njëjtë kur sulmohen direkt qendrat me civilë”, kujtoi Johnson.

Duke pasur njohuri prej historiani e gazetari për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe luftërave në Kroaci, Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë, politikani britanik e ka shumë të qartë se çfarë ndodhi dekadën e fundit të mileniumit që shkoi, prandaj edhe kishte dashur që intenzivisht të përfshihej në gjetjen e një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.

Denis MacShane, ish-ministër i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Evropën, ka ndarë një episod me Johnson-in, i cili i kishte shprehur dëshirën për përfshirje më të madhe.

MacShane është i bindur se po të ndodhte, qasja e Britanisë së Madhe “do të ishte krejt ndryshe”.

“Boris Johnson më tha në vitin 2020 se donte të përfshihej më shumë në mbështetjen e Kosovës dhe të gjente një zgjidhje për ngërçin e Ballkanit Perëndimor”, tregoi Mac Shane për AP-në.

Por, çfarë ndodhi?

Planet e Johnson për përfshirje më të madhe u diktuan nga vota e britanikëve për të lënë Bashkimin Evropian përmes procesit që u njoh si BREXIT.

Largimi i britanikëve nga Unioni shkurtoi edhe mundësitë e ish-kryeministrit të tyre për angazhim më specifik, meqë BE ka timonin në fasilitimin e dialogut dhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme.

Mac Shane thotë se me “BREXIT-in Mbretëria e Bashkuar ka humbur pothuajse të gjithë ndikimin në drejtimin e politikës evropiane”, përfshirë këtu edhe mundësinë e një kryeministri britanik për të bërë më shumë.

Si provë se Johnson vërtetë do angazhohej shumë më shumë dhe se fjalët e tij nuk ishin vetëm retorikë e momentit, MacShane jep të kaluarën.

“Është e qartë se Mbretëria e Bashkuar përmes lidershipit së saj në NATO ishte e rëndësishme për t’i dhënë fund sulmeve serbe ndaj kosovarëve në vitet 1998-99 dhe për çlirimin e Kosovës nga sundimi kolonial serb. Mbretëria e Bashkuar u përpoq shumë që ta nxiste pjesën tjetër të Evropës që të angazhohej”.

Madje, edhe dialogu aktual në Bruksel, i cili për momentin ëhstë kanali i vetëm i komunikimit të drejtpërdrejtë mes Kosovës dhe Serbisë, u ideua pikërisht nga britanikët.

Ishte Catherine Ashton, e cila ishte Përfaqësuesja e parë e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme”, kujton edhe MacShane.

Ajo “punoi shumë fort nga viti 2009 deri në vitin 2014 për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konflikteve të viteve 1990-2000, por kjo doli e pamundur”, thotë ai.

Aktualisht Britania ka një tjetër kryeministër Rishi Sunak.

Sunak ka shumë më pak njohuri për Ballkanin Perëndimor dhe interesi i tij është në një drejtim tjetër.

Si një ish-bankier ai është i fokusuar më shumë në çështje të ekonomisë dhe tregjet në të cilat është e përfshirë Britania e Madhe.

Gjithsesi, si një nga shtete me influencë më të madhe në Evropë, Britania nuk ka qëndruar krejt anash në çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Kohë më parë, marshalli Stuart Peach që është edhe anëtarë i Dhomës së Lordëve në Parlamentin bikameral të Britanisë së Madhe, është i angazhuar si përfaqësues special për Ballkanin, përfshirë këtu edhe detyrat speciale në dialogun që zhvillohet në Bruksel. 

 

(Kosova Sot Online)