Detaje për gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin

  • A.P /
  • 09 February 2023 - 18:23
Detaje për gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin

Përmes gjashtë kushteve të zbuluara në Kuvend, Kryeministri Albin Kurti kaloi nga qëndrimi refuzues, në “do ta konsideronim” Asociacionin.

Për një javë, kushtet e Kurtit kanë hyrë në agjendën e diskutimeve me ndërkombëtarët, janë komentuar nga vendorët, por, deri tash, nuk duhet se janë marrë parasysh për t’u plotësuar.

Pas kushtet e Kurtit u trajtuan në fundjavë, të hënën ato u shtruan në drekën e Kryeministrit me Emisarin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak.

Lajcak tha se BE-ja e ka një qëndrim për to, por nuk donte ta bënte publik.

“Kemi folur për këtë çështje [6 kushtet e Kurtit] dhe e informova kryeministrin rreth pozicionit tonë por s’dua ta bëjë publike analizën legale, ishte e dobishme që e diskutuam këtë”, tha Lajcak.

Dy kushtet në ‘problematike’ të Kurtit

Qëndrimi i BE-së nisi të zbardhej fillimisht nga Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, që është njëriu më i rëndësishëm i Kurtit për dialogun me Serbinë.

Bislimi tha se BE-ja “ka vërejtje” specifikisht për dy nga gjashtë pikat e prezantuara nga Kryeministri, fillimisht në Kuvend. Por, Bislimi nuk foli cilat janë ato, duke sugjeruar që të pyetet Lajcak.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është deleguar nga partia opozitare për t’u marrë me çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, ka shkuar një hap tutje Bislimit, duke i treguar dy pikat që, siç thotë ai, i pengojnë BE-së.

Reciprociteti dhe çështja e strukturave paralele, thotë Haziri, janë këto dy kushtet që i konteston BE-ja.

“Strukturat paralele për partnerët ndërkombëtarë nuk ekzistojnë, ato janë bojkot, struktura që kanë dalë prej institucioneve. Ne i identifikojmë si struktura të njëjta. Ndërkohë, reciprociteti merr organizimin e shqiptarëve në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës), është poashtu një nga parimet që s’mund e përballon”, ka thënë Haziri mbrëmë në një nga televizionet e vendit.

Ambasada gjermane nuk i përkrah kushtet e Kurtit, amerikanët nuk i komentojnë

Kryeministri Kurti, në fillimjavë, i ka mbledhur të gjithë diplomatët e huaj në Kosovë, për t’ia prezantuar kushtet e tij.

Gjatë javës, Gazeta Express i ka pyetur për pikat e Kurtit misionet perëndimore që po merren intensivisht me dialogun Kosovë – Serbi, duke i kushtuar vëmendje të veçantë Asociacionit.

Ambasada amerikane nuk i ka dhënë ndonjë koment kushteve të vëna, duke theksuar se qëndrimi i tyre ndaj Asociacionit nuk ka lëkundur; është i njëjti sikurse e tha ambasadori Jeff Hovenier pas diskutimit të 31 janarit në rreth themelimit të Asociacionit në Ambasadë.

Përderisa misionet e tjera e kanë evituar komentimin e kushteve të Kurtit, Ambasada gjermane e sheh si të pavend vënien e parakushteve, marrë parasysh gjendjen në veri të Kosovës.

“Një qasje konstruktive është urgjente duke pasur parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe nuk duhet vënë parakushte”, ka thënë zëdhënësi Sebastian Leuschner të mërkurën për Gazetën Express.

Ndonëse Kurti po punon që të tregojë së Asociacioni nuk është dhe nuk mund të jetë më prioritet se çështjet e tjera në dialog, Ambasada gjermane e sheh Asociacionin si “pjesë të rëndësishme” për Kosovën.

“Iniciativa [[plani franko-gjerman] është një mundësi unike për përparim të madh në këtë çështje, e cila e ka mbajtur veçanërisht Kosovën mbrapa, politikisht dhe ekonomikisht, për shumë vjet. Për Kosovën, një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është që të zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin janë pajtuar në vitin 2013/2015”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë.

Çka tha opozita për kushtet e Kurtit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha të enjten në Pressing në T7 se “Kurti bëri ndryshim radikal për herë të parë”, duke vënë kushtet për pranimin e Asociacionit. “Tani Asociacioni mund të bëhet”, tha ai.

“Deri vonë thoshte se nuk ka Asociacion dhe pikë. Tash paska ndryshuar dhe është shtuar një presje”, ka theksuar Abdixhiku.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha të enjten në seancën e Kuvendit se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq janë koordinuar që atë ditë në Kuvendet përkatëse në Prishtinë dhe Beograd të flasin për marrëveshjen.

Ai tha se “Qeveria Kurti do ta themelojë Asociacionin”.

“Qeveria Kurti do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vendin tonë. Pra, ky moment, kjo ditë, duket të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, pra mes kryeministrit tonë dhe presidentit serb, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment janë duke dhënë këto lajme”, ka thënë Tahiri.

Kushtet e Kurtit për ta pranuar Asociacionin

Më 2 shkurt, Kurti ia ka prezantuar deputetëve në Kuvend gjashtë pikat e tij, me plotësimin e të cilave “do ta konsideronte” pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kushti i parë i tij është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.

I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit  ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.

Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”. 


(Kosova Sot Online)