Berisha: Rama s’ka shanse të pengojë komisionin hetimor për “McGonigal”, provokon destabilizim të plotë

  • E.K /
  • 17 February 2023 - 13:05
Berisha: Rama s’ka shanse të pengojë komisionin hetimor për “McGonigal”, provokon destabilizim të plotë

Në një konferencë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk ka shanse ta pengojë ngritjen e një komisioni hetimor për ccështjen “McGonigal” në të cilët akuzon se është i përfshirë edhe kreu i qeverisë.

“Deklaroi mbrëmë, siç e dëgjuat, që unë nuk lejoj, nuk ka shans të lejoj komision parlamentar për Uotergejtin e shekullit të 21, për një aferë që ka tronditur në palcë politikën dhe jetën në SHBA, por edhe në Shqipëri dhe mbarë vendet e tjera. Edi Rama, nuk ka shans, të pengojë të drejtën kushtetuese, të Parlamentit shqiptar për të krijuar komisione. Nëse ky, beson në këtë, provokon në vend destabilizim të plotë. Unë u them qytetarëve shqiptarë, që kurrë në histori, as në diktaturë, as pas diktature, nuk ka ndodhur që Byroja e Parlamentit të anulojë ligjet. Nuk ka, as Byroja Politike e Enver Hoxhës nuk anulonte ligjet. Anulimi i ligjit ka vetëm procedurë ligjore, parlamentare. Një grup banditësh pa asnjë moral, thonë se Byroja anuloi ligjin e komisioneve hetimore, jashtë çdo imagjinate. Ligji anulohet vetëm me ligj të Parlamentit dhe kurrë me vullnet të dikujt tjetër. Banditizmi politik, shpërfillja ndaj vullnetit të qytetarëve, ndaj Kushtetutës, këtu tejkalon edhe Korenë e Veriut. Se edhe diktatura e zbatonte procedurën në tërësi. Por nuk është kurrë kompetencë e Byrosë së Parlamentit. Kjo tregon se verbëria, tmerri dhe paniku që ka Edi Rama nga aktet që ka kryer, e shtyjnë në çdo veprim. Ka humbur mendjen dhe kërkon si mi të shpëtojë prapa çdo lloj absurditeti. Të fshihet”, tha Berisha referuar deklaratës së Ramës.

Gjithashtu deklaratës së Ramës se “do shkojë në Parlament kur e shohë të arsyeshme”, Berisha i përgjigjet duke thënë “një kryeministër që nuk i përgjigjet detyrës së tij, është një parazit i tmerrshëm, një hajdut që vjedh nga mëngjesi deri në darkë”.

“ Situata në vend po bëhet gjithnjë e më kritike. Me një arrogancë absolute, Edi Rama deklaron se shkon në Parlament kur të dojë, pavarësisht se Kushtetuta ka detyrime të qarta për detyrimet e kryeministrit ndaj parlamentit. Por po të kemi parasysh se ky njeri shkon në mbledhje të qeverisë vetëm kur vendos për vjedhje të mëdha, dhe në këtë kontekst, nga 48 mbledhje, ka shkuar vetëm në 19 mbledhje. Dhe aty ligjin e bën Belinda. Ai me SMS drejton qeverinë, ai me SMS drejton Lindën në parlament. Faktikisht ky është shndërruar në shtetin Linda-Belinda dhe padronit të tyre pa asnjë normë morale, politike dhe asgjë. Nuk ka vend në botë, që një kryeministër, nga 49 mbledhje, merr pjesë në vetëm 19, dhe nuk jep dorëheqje. Kryeministri është i detyruar të kryesojë mbledhjet e qeverisë përveç rasteve shumë të veçanta. Një kryeministër që nuk i përgjigjet detyrës së tij, është një parazit i tmerrshëm, një hajdut që vjedh nga mëngjesi deri në darkë. Një kryeministër nuk mund të mungojë kurrë, nëse kjo kalon 6 muaj, ai duhet të largohet. Këtu qeveriset me SMS-të që ai i dërgon Lindës dhe Belindës. Kurrë ndonjëherë nuk ka rënë ky shtet në papërgjegjësi kaq absolute”.

(Kosova Sot Online)