'Kërbaç' në parlament që të mos diskutohet skandali 'Rama-McGonigal'

  • E.K /
  • 22 February 2023 - 11:25
'Kërbaç' në parlament që të mos diskutohet skandali 'Rama-McGonigal'

Kur e pyesin se përse nuk shkon në parlament dhe t’i përgjigjet opozitës që i kërkon shpjegime për marrëdhënien e tij me Charles McGonigal, kryeministri Edi Rama tregon “nivelin e ulët të edukatës” të deputetëve. Faktit, të provuar tashmë me video, që Rama ka rekordet e tij të shkeljes së edukatës, ai i justifikoi duke thënë se “kush fle me qenin, gdhihet me pleshtat” dhe se do të bëjë sa të mundet që ta shlyejë këtë turp.

Arsyet e refuzimit të Ramës për të dhënë llogari mbi skandalin “McGonigal” shkojnë përtej limiteve të edukatës, por për ta fshehur këtë ai ka dhënë një përgjigje disproporcionale përmes një serie përjashtimesh mbi deputetët e opozitës.

Që kur u arrestua McGonigal në SHBA, në kuvendin e Shqipërisë janë marrë 24 masa përjashtimi për deputetët e opozitës.

Në 26 janar, Rama nuk shkoi në parlament. Opozita kërkoi llogari, por si zakonisht nuk iu dha më shumë se dy apo tre minuta kohë për të folur. Opozita bllokoi foltoren. Seanca kaloi në kaos. Pak ditë më pas nisi hakmarrja. Në krye të Sekretariatit të Etikës qëndron Klotilda Bushka, që përjshtoi Sali Berishën, Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Edmond Spahon dhe Edi Palokën.

Në 2 shkurt, karrigia e Edi Ramës në Kuvend ishte sërish bosh. Një grup deputetësh të PD kishin kërkuar interpelancë për McGonigal. Rama u ofroi Elisa Spiropalin për të dhënë përgjigje, por kjo u refuzua nga opozita, që bllokoi foltoren. Ndëshkimi nuk vonoi. U përjashtuan për 10 ditë Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Ervin Salianji që bllokuan foltoren. Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati u ndëshkuan për fjalë fyese ndaj Lindita Nikollës.

Në 13 shkurt, ndërsa numrat e deputetëve të opozitës ishin më të paktë, gratë socialiste kishin një surprizë për Berishën. Duke iu referuar një deklarate të tij te selia e PD, se kishte video me orgji të McGonigal dhe ministreve, ato i kërkuan t’i nxjerrë duke e akuzuar për deklarata seksiste.

Karrigia e Ramës si gjithnjë ishte bosh. Mungesës së tij i shtohej refuzimi për një komision hetimor nga opozita. Seanca që drejtohej nga Ermonela Felaj doli prapë nga kontrolli. Flamur Noka gjatë të gjithë seancës i ra bilbilit, ndërsa Berisha tha se videot ekzistonin. Dy ditë më pas “kërbaçi” Bushka firmosi përjashtimin e Sali Berishës dhe Flamur Nokës nga parlamenti për 10 ditë. Ndërsa Belind Këlliçi dhe Flamur Noka u përjashtuan për 5 ditë.

Në 16 shkurt, skena ishte e njëjtë. Rama mungoi sërish. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe i ranë bilbilave, në një seancë të zhurmshme, ku herë pas here dëgjohej zëri i Jorida Tabakut që u pajtua me rendin e ditës. Komisioni i Bushkës përjashtoi Edmond Spahon, Elda Hotin, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi, Lindita Metaliajn dhe Greta Bardelin.

Kryeministri Rama ka refuzuar parlamentin, por jo studiot televizive ku është paraqitur plot 4 herë. Versioni që paraqet kryeministri për takimet me McGonigal ka disa pika të ndryshme nga çfarë thuhet në akt-akuzën që ka hartuar FBI. Në njoftimin që iu bë ish-të dashurës së McGonigal për të dëshmuar (subpoena) ajo paralajmërohej të jepte çdo informacion që kishte për Ramën dhe ministrat e qeverisë shqiptare.

Deri më tani, Rama thotë se nuk është kontaktuar nga asnjë institucion i drejtësisë amerikane për këtë çështje, por heshtja tregon se ai druhet se çdo gjë që mund të thotë sot, mund të përdoret nesër kundër tij./LAPSI

(Kosova Sot Online)