“Qeveria e Edi Ramës i ka shpallur luftë të hapur profesionistëve”- Kreu i PL: Shqipëria, e fundit në Evropë për inovacionin shkencor, kryeministri të largohet

  • E.K /
  • 27 February 2023 - 11:12
“Qeveria e Edi Ramës i ka shpallur luftë të hapur profesionistëve”- Kreu i PL: Shqipëria, e fundit në Evropë për inovacionin shkencor, kryeministri të largohet

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas raportit të Indeksit Global të Inovacionit për vitin 2022,  ku Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe në Evropë për inovacionin shkencor.

Përmes një postimi në Facebook, Meta akuzon qeverinë se i ka shpallur luftë profesionistëve, ndërsa shton se kryeministri duhet të largohet që të mos falimentojë vendi.

Postimi i plotë:

Qeveria e Edi Ramës i ka shpallur luftë të hapur profesionistëve, dijeve dhe kërkimit shkencor.

Prova më e qartë është Indeksi Global i Inovacionit për vitin 2022, që e pozicionon Shqipërinë të fundit të rajon dhe Europë.

Shkaqe kryesore për këtë renditje janë mungesa serioze e burimeve njerëzore dhe kërkimore, njohuritë jo të duhura teknologjike dhe sofistikimi jo efiçent i tregut. Performancën më të dobët, Shqipëria e ka sa i takon prodhimeve të dijeve dhe prodhimeve teknologjike.

Ndërkohë vendet e tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë dhjetëra vende më lart.

Qëndrimi arrogant dhe mungesa totale e mbështetjes për universitetin, për pedagogët dhe studentët duke mos u dhënë atyre asnjë ndihmë konkrete është arsyeja e vetme për këtë situatë të rëndë.

Kjo Qeveri që është e para për korrupsionin në Europë është e fundit për inovacionin shkencor.

Ndaj vetëm largimi një orë e më parë i Edi Ramës shpëton falimentimin e Shqipërisë dhe nxit zhvillimin e shkencës dhe të ekonomisë.

(Kosova Sot Online)