Gjuriq e pranon fajësinë

  • A.P /
  • 01 March 2023 - 16:35
Gjuriq e pranon fajësinë

Lidhur me akuzën për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën për veprën penale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se për shkak të një keqkuptimi nuk e ka raportuar saktë pasurinë për vitin 2020.

Gjuriq ngarkohet se nuk ka paraqitur saktë në Agjencionin kundër Korrupsionit (AKK) të hyrat për periudhën 1 janar- 31 dhjetor 2020, duke deklaruar se gjatë 2020-ës ka realizuar të ardhura neto prej 14 mijë e 760 euro, edhe pse i njëjti kishte realizuar të ardhura neto 19 mijë e 342 euro e 1 cent, me çka i njëjti ka deklaruar 4 mijë e 582 euro e 15 centë, më pak.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Gjuriq e dha në shqyrtimin fillestar të së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arjan Xhema.

Paraprakisht, të akuzuarit Gjuriq iu lexuan të drejtat e tij, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar, nga gjyqtari i rastit Xhemajl Jusufi.

“Kjo ka ndodhur për shkak të një keqkuptimi me Agjencinë kundër Korrupsionit, nuk kam pasur asnjëherë qëllim që të kryej ndonjë veprim të kundërligjshëm, më vjen keq për këtë, prandaj dhe e pranoj fajësinë”, deklaroi Gjuriq.

(Kosova Sot Online)