Xhafaj 'shuplakë' Ramës: Opozita me të drejtë kërkon transparencë për çështjen ‘McGonigal’!

  • E.K /
  • 02 March 2023 - 15:42
Xhafaj 'shuplakë' Ramës: Opozita me të drejtë kërkon transparencë për çështjen ‘McGonigal’!

Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka mbajtur një qëndrim ndryshe nga linja zyrtare e partisë lidhur me mocionin me debat për çështjen “McGonigal”, duke i kujtuar kryeministrit Edi Rama se opozita ka të drejtë që kërkon të bëhet transparencë.

Në fjalën e tij në Kuvend, Xhafaj u shpreh se ‘ne si maxhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por edhe në interesin tonë politik’.

Gjithashtu Xhafaj theksoi se me këtë rast shumica mund të reflektojë edhe për çështje si konflikti interesit dhe lobimi i partive politike.

Xhafaj: Opozita dhe jo vetëm me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj, gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë. Ne si maxhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por edhe në interesin tonë politik. Natyrisht edhe të reflektojmë se si të përmirësojmë disa gjera në etikën dhe komunikimin zyrtar, konfliktin e interesit, financimin dhe lobimin nga partitë politike.

(Kosova Sot Online)