
Kurti: Përgjegjësia e ndryshimit bie mbi burrat

Gratë përballen me sfida të shumta, ndërsa nuk trajtohen njëjtë me kolegët dhe shokët e tyre, as pas vdekjes, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në shënimin e Ditës së Gruas nga Agjencia për barazi gjinore, Kurti tha se përgjegjësia e barazisë gjinore bie mbi burrat. Ndërsa aty u propozua që emrat e grave që ndërtuan historinë e vendit t’iu vendosen institucioneve dhe hapësirave publike.
Kurti tha sot se brenda dy vitesh kanë arritur të përmbushin 18 nga 36 caqet e programeve për barazi gjinore, derisa shtoi se gratë duhet të jenë të pranishme afër nxënësve e studentëve edhe si autore.
“As pas vdekjes nuk trajtohen njëjtë me kolegët dhe shokët e tyre… Sikurse në shumë fusha të barazisë, përgjegjësia e ndryshimit të situatës edhe këtu bie tek burrat. Tek e fundit, vetë problemi i pabarazisë është i krijuar nga burrat, pra ata që e kanë e krijuar duhet ta zgjidhin atë. Pa barazi gjinore nuk ka barazi shoqërore e për ta arritur këtë nevojitet së pari emancipimi i burrave për barazi gjinore. Është tejet e rëndësishme që nxënësit dhe studentët t’i kenë autoret gra edhe të pranishme, edhe pranë. Edukimi i brezave të ri, përveç edukim moral për barazi gjinore, duhet të ketë edhe edukim kulturor e estetik”, tha Kurti.
Ai tha se si qeveri do të jenë të përkushtuar për një shoqëri të drejtë e përparuese.
“Jemi të bindur që brenda dy viteve të zbatimit kemi arritur 18 nga 36 të caqeve të programeve për barazi gjinore. Me përgjegjësi institucionale dhe vetëdije shtetërore, me përkushtim e veprime konkrete do të jemi bashkë në përpjekjet për një shoqëri që është e drejtë dhe përparuese”, tha ai.
(Kosova Sot Online)