Aggeler: SHBA fuqishëm e përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

  • A.P /
  • 17 March 2023 - 17:19
Aggeler: SHBA fuqishëm e përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë Veriore, Angela Aggeler, ka njoftuar se shteti i saj e vëzhgon takimin, të cilin e ndërmjetëson Kryediplomati evropian, Josep Borrell, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Shtetet e Bashkuara fuqishëm e përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe Zëvendësndihmës-Sekretari Gabriel Escobar do të jetë në Ohër, si vëzhgues i këtij procesi”, thuhet në një postim të diplomates amerikane

Për arsye që  nuk dihen, takimi mes Kurtit dhe Vuciqit është zhvendosur nga Brukseli në Ohër. Ambasadorja amerikane thotë se Maqedonia Veriore, duke pritur këtë takim, dëshmon rolin pozitiv të saj në rajon.

“Roli i Maqedonisë Veriore si nikoqire e këtij takimi të rëndësishëm nënvizon udhëheqjen e saj pozitive në rajon”, thuhet në njoftimin e ambasadores.

Kurti dhe Vuciq takohen nesër për të diskutuar rreth zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve, të cilin e kanë pranuar në takimin e kaluar më 27 shkurt, në Bruksel.

(Kosova Sot Online)