Kurti para takimit në Ohër bisedë telefonike me Cholletin

  • A.P /
  • 17 March 2023 - 21:14
Kurti para takimit në Ohër bisedë telefonike me Cholletin

Një bisedë telefonike me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka zhvilluar sot nga  Ohri, kryeministri Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti ka thënë se gjatë bisedës ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që të nesërmen ta shndërrojë në ditë suksesi.

“Me të ardhur në Ohër, para bisedimeve të nesërme, zhvillova një bisedë telefonike me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Chollet. Diskutuam rëndësinë e kësaj fundjave për Kosovën, rajonin, integrimet euro-atlantike dhe sigurinë. Theksova që ne jemi të përkushtuar për ta bërë të nesërmen ditë suksesi”, ka njoftuar Kurti.

Kurti pret që nesër të takohet me presidentin Vuçiq. Pritet që të arrihet një marrëveshje mbi Aneksin për zbatimin e planit franko-gjerman.

Gjatë ditës së sotme, por edhe ditëve të mëhershme, Kurti ka shprehur vullnetin dhe vendosmërinë që ta arrijë një marrëveshje të shtunën e 18 marsit.

Ndërkohë, Vuçiq sonte ka deklaruar se “nuk do të nënshkruaj asgjë në Ohër” dhe se ai i di “vijat e kuqe”.


(Kosova Sot Online)