Shtrenjtimi eventual i rrymës, reagojnë qytetarët: Po varfërohemi

  • A.P /
  • 23 March 2023 - 19:30
Shtrenjtimi eventual i rrymës, reagojnë qytetarët: Po varfërohemi

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) njoftoi të enjten se tarifat e energjisë elektrike do të rriten për rreth 15 për qind dhe se ato do të aplikohen nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit të ardhshëm, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit.

“Saktësisht se sa do të jetë rritja e tarifave të energjisë elektrike do të kuptohet në mbledhjen e radhës të Bordit të ZRRE-së, që do të mbahet brenda muajit mars”, tha kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Zejnullahu, pas mbledhjes që u mbajt të enjten.

ZRRE-ja ka paralajmëruar qysh më herët se është duke shqyrtuar një kërkesë të Kompanisë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, për shtrenjtimin e rrymës.

KEDS-i e ka justifikuar kërkesën e tij me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Duke iu drejtuar gazetarëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij do të bëjë të pamundurën që ta bëjë çmimin e energjisë elektrike “sa më të përballueshëm për qytetarët”.

“Me 200 euro në muaj sa i marr pension, si ta paguaj rrymën”, pyetet Rrahman Gjinovci nga Prishtina.

Faturën e fundit të rrymës, ai thotë se e ka paguar 60 euro.

Me shtrenjtimin e paralajmëruar për rreth 15 për qind, ajo mund t’i rritet për afro 10 euro.

“Rritja e tarifave të energjisë elektrike do të na varfërojë edhe më shumë”, thotë Gjinovci, i cili jeton me familjen e tij 5-anëtarëshe.

(Kosova Sot Online)