
Sot shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës

Gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Pikërisht sot shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës.
Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.
Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.
Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).
(Kosova Sot Online)