Pas 13 vjetësh premtime e pritje kosovarët tani mund të festojnë për viza

  • A.P /
  • 18 April 2023 - 18:31
Pas 13 vjetësh premtime e pritje kosovarët tani mund të festojnë për viza

Padyshim Kosova është kampione  e pritjes në rajon për t’a hequr regjimin e vizave për udhëtim në Zonën Schengen.  Me gjasë ka pritur më shumë  se edhe secili vend jashtë Europës që ka marrëveshje për lehtësira udhëtimi me BE’në.  Për rreth 13 vjet, kosovarëve shumë herë u është premtuar, janë kushtëzuar e shumë herë edhe kanë festuar, duke besuar se po i vinte fundi këtij procesi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Parlamenti Evropian miratoi sot vendimin për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Ky është fundi i procedurave vendimarrëse për procesin e liberalizimit. Vendimi i sotëm zbatohet më së largu më 1 janar, 2024.

Me këtë rast, Kosova thyen rekordin e pritjes për lëvizje të lirë në Evropë. Nga lansimi i dialogut për liberalizim, deri në heqjen e vizave, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë pritur dy vjet. Shqipëria dhe Bosnja tri vjet, Moldavia katër vjet Gjeorgjia pesë vjet, Ukraina nëntë vjet, ndërsa Kosova 12 vjet.

Në vitin 2009, Komisioni Evropian kishte hequr vizat për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërkaq në fund të vitit 2010 vizat për në shtetet evropiane u liberalizuan edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjës.

Viti 2010

Kur fqinjtë u liberalizuan, Kosova priste që të nisë bisedimet për heqjen e vizave. Ish-Kryeministri Hashim Thaçi në vitin 2010 kishte thënë se ka konfirmim nga Brukseli se procesi nuk do të zgjaste më shumë se 15 muaj.

“Unë jam  zotuar që t’i implementoj të gjitha kriteret demokratike, bile edhe për më pak se 15 muaj, që Kosova t’i kryejë obligimet e veta për liberalizimin e vizave. Kam besim të plotë dhe konfirmim edhe nga Brukseli se nuk do të vonohet më shumë se 15 muaj. Unë vazhdoj të kem linja direkte me autoritetet vendimmarrëse në Bruksel”, deklaronte atëherrë Thaçi.

Por, bisedimet, ndonëse ishin paralajmëruar, nuk u hapen atë vit.

Viti 2011

Nga 2010-ta deri në vitin 2012, Kosova po priste që të niste dialogu për liberalizmin e vizave, me shpresat se do të zgjaste shkurt ai proces.

Prej dy vitesh shtet i pavarur, Kosova kishte nisur me plotësimin e kushteve për lëvizje në zonën Schengen. Një nga to ishte pajisja me pasaporta biometrike.

Në mungesë të udhërrëfyesit zyrtar të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, autoritetet kosovare patën krijuar një udhërrëfyes të njëanshëm të bazuar në udhërrëfyesit zyrtar të shteteve në rajon.

Sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, tashmë ishin disa nga kriteret për Kosovën krahas parakushteve tjera, si siguria e dokumenteve personale, menaxhimi i integruar i kufirit dhe ri-integrimi dhe riatdhesimi.

Viti 2012

Bisedimet u hapën në janar të vitit 2012, por atëherë Kosovës nuk i ishte dhënë një udhërrëfyes zyrtar nga Komisioni Evropian, deri në qershor të atij viti.

Përfaqësuesit qeveritarë të asaj kohe besonin se do t’i plotësonin shpejt kriterët, ndonëse sipas ish-ministres së Integrimeve, Vlora Çitaku, Kosovës i ishin vënë më shumë kritere në numër, sesa vendeve të rajonit. Ishin 95 sosh.

Atëherë thuhej se kosovarët do të mund të lëviznin pa viza, në fund të vitit 2013.

Viti 2013

Në fillim të 2013-s, Bashkimi Evropian kishte prezantuar raportin e parë për punën që kishte bërë Kosova për plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave.

Aty i ishin dhënë vërejtjet dhe rekomandimet në fushat ku duhej të punohej më shumë, si sundimi i ligji. 

Në po atë vit u bë hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që konsiderohej si hapi më i madh dhe më domethënës që e kishte arritur vendi në procesin e integrimeve evropiane.

Ndërkaq, Kuvendi, me procedura të shpejtuara, kishte miratuar pakon prej tetë ligjeve si pjesë e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

Këto ligje rregullonin fusha të azilit, azil-kërkimit, menaxhimit të integruar të kufirit dhe çështje të ngjashme, për të cilat Bashkimi Evropian kërkon standarde evropiane për vendet që synojnëtë futen në zonën pa viza.

Viti 2014

Kushtet për liberalizimin e vizave nuk u përmbushën me entuziazmin që paralajmërohej nga qeveritarët, që prisnin të hapeshin bisedimet për heqjen e vizave.

Krahas ngecjeve në përmbushjen e kritereve, vlerësohej se kishte edhe dy zhvillime që mund të ndikojnë në shtyrjen e një vendimi pozitiv të Brukselit për përfshirjen e Kosovës në liberalizim.

Një nga shqetësimet për shtyrje të liberalizimit të vizave ishte rritja e migrimeve ilegale dhe numrit të azilkërkuesve nga Kosova për në vendet e BE-së. Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian rakomandonte që edhe për vendet e Ballkanit tashmë të përfshira në liberalizimin e vizave, mund të kthehet regjimi i mëparshëm, nëse nuk i zbatojnë kriteret evropiane.

Viti 2015

Që në krye të herës, riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në BE, ishte një nga kriteret e liberalizimit. Por, gjatë 2015-s dhjetëra mijëra kosovarë hynë ilegalisht në shtetet e BE-së, me shpresë se do të merrnin statusin e azilit.

Hyrja ilegale e kosovarëve në shtetet e BE-së dhe kërkesat për azil ishin kthyer në problemin kryesor, që pritej se do të zvarriste edhe më shumë procesin e liberalizimit të vizave. 

Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, thoshte se pavarësisht punës së bërë deri atëherë në zbatimin e kritereve të kërkuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave, zhvillimet e fundit në vend që lidheshin me ikjen masive të qytetarëve nga Kosova, do të bënin që Komisioni Evropian ta ketë të vështirë që të rekomandojë heqjen e vizave për Kosovën.

Viti 2016

Në fillim të vitit 2016, Kosova shpalli të përmbushura kriteret që ia kishte vënë BE-ja për ta fituar liberalizimin. Tani, po priste që Komisioni Evropian të jepte rekomandimin për heqjen e vizave.

Në shkurt të këtij viti, ish-Zëvendëskryeministri Thaçi njoftoi se ratifikimi i marrëveshjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi ishte vënë kusht për liberalizimin e vizave. Këtu fillon një epokë e re e sagës së vizave, që përfundoi pas disa vjetësh.

Kosova kishte nënshkruar marrëveshje, por opozita nuk po e pranonte, duke e kundërshtuar ratifikimin e Demarkacionin në Kuvend edhe me mjete të tjera, përveç votës kundër.

Megjithatë, Kosova priste akoma rekomandim pozitiv të KE-së dhe këtë e thoshte ish-Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku.

Në po atë vit, Çollaku e festoi me shampanjë momentin e dhënies së rekomandimit pozitiv të BE-së. Ndërkaq, Presidenti atëherë i sapozgjedhur, Hashim Thaçi, i kishte përshëndetur me një lamtumirë vizat, i sigurt se ato u hoqën.

“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”, kishte shkruar Thaçi.

Sidoqoftë, në realitet, Demarkacioni ishte kthyer në ngecjen që s’po tejkalohej për të mundësuar liberalizimin. Pushteti akuzonte opozitën, që athëherë përbëhej nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma, se po pamundësonte lëvizjen e lirë me kundërshtimin e Asociacionit.

Viti 2017

Kishin kaluar 7 vjet prej kur liberalizimi pritej plot optimizëm se do të ndodhte. 2017-a po niste me më pak shpresë.

Demarkacioni tashmë ishte kushti i patejkalueshëm për liberalizimin e vizave, të cilin Qeveria e përbërë prej LDK-së dhe PDK-së s’po arrinte ta miratonte.

Po atë vit ra Qeveria e Isa Mustafës dhe u formua e reja, që tash udhëhiqej nga koalicioni i njohur si PAN. Kryeministër u bë kundërshtuesi i madh i Demarkacionit, Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi, nga ana tjetër, i kishte kërkuar Shqipërisë që t’i lehtësonte pajisjen e kosovarëve me pasaporta shqiptare, ashtu që të mund të lëviznin pa viza.

Viti 2018

Pas rreth tri vjetëve prej nënshkrimit të marrëveshjen, në 2018-ën kur demarkacioni u ratifikua në Kuvend. Dhe, kur pritej se tani më s’do të mund të kishte asnjë pengesë dhe se vizat do të hiqeshin, kjo nuk ndodhi. Thuhej se ishte humbur momentumi. Ndërkaq, akoma përmendej luftimi i korrupsionit si një nga kushtet.

Zyrtarë të BE-së, si Raportuesja për Kosovën, Tanja Fajon, thonin se kosovarët meritonin që më në fund t’i hiqeshin vizat, por kjo nuk ndodhi në vitin 2018.

Në po atë vit po bëheshin lëvizje në çështjen e liberalizimit, si rekomandimi nga KE-ja, por pa ndonjë epilog.

Në gusht, Komiteti i Lirive Civile të Parlamentit Evropian, i njohur si LIBE, voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizim.

Vitet që pasuan, Kosova s’po mund t’i hiqte vizat për shkak të zhvillimeve brenda strukturave të Bashkimit Evropian.

Disa herë, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk po mund të hynte në agjenda të instancave të BE-së, e disa herë të tjera po pengohej nga vendet mosnjohëse brenda Unionit. Gjatë viteve të fundit, Kosova kishte hasur në pengesa edhe te vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj, por ishin skeptike në lirinë e lëvizjes së kosovarëve.

Më nuk ishte sekret se disa qeveri të shteteve të BE-së nuk e përkrahnin liberalizimin e vizave. Ndëkraq mbështetësit e Kosovës thonin se nuk duhej t’i vendoseshin Kosovës kushte të reja.

Në vitin 2019, kosovarët u uruan edhe njëherë për liberalizimin e vizave – kësaj radhe nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, që thoshte se ka marrë garancë nga Gjermania për heqjen e mënjhershme të vizave.

“Kjo nuk është një po e analizave ose mendimeve, është ‘po’ e njeriut në detyrë që flet në emër të Gjermanisë – ministri i Punëve të Brendshme, (Horst )Seehofer, ka dhënë ‘po’ për vizat dhe ka thënë ‘po’ menjëherë”, kishte thënë Haradinaj.

Gjatë vitit 2020, Kosova do të përballej me skeptikët e Bashkimit Evropian për t’ia hequr asaj vizat. Ndër to ishte edhe Franca dhe Holanda.

Së fundmi, Kosova po përballej me rezistencën e Spanjës, e cila s’njeh as pavarësinë, as dokumentet e Kosovës.

Skeptikët u angazhuan që kosovarëve të mos u lejohej lëvizja e lirë në zonën Schengen, së paku deri sa të hyjë në funksion sistemi ETIAS.

Në gjashtë muajt e fundit të vitit 2022, Këshilli i Bashkimit Evropian drejtohej nga Presidenca Çeke, e cila ishte angazhuar që, më në fund, të kishte liberalizim të vizave për Kosovën.

Në nëntor të 2022-s, ambasadorët e Bashkimit Evropian votuan pro liberalizimit. Më vonë pro heqjes së vizave u votua edhe në instanca të tjera.

Sot, më 18 prill, u votua në Parlamentin Evropian dhe ky llogaritet të jetë vendimi final.

Në Kosovë, u urua edhe njëherë liberalizimi – kësaj radhe pritet të jetë urimi përfundimtar. Kryeministri Albin Kurti e numëroi këtë si meritë të të gjithëve. 

“Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen. Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë”, shkroi Kurti.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij, më 1 janar, 2024.

Kjo histori e proces rreth 15-vjeçar të liberalizimit të vizave është shoqëruar me kosto të lartë financiare të qytetarëve që aplikonin për viza, refuzime dhe pamjet pambarim të tyre para dyerve të ambasadave të shteteve të huaja.


(Kosova Sot Online)