Stoltenberg del me një thirrje

  • A.P /
  • 18 April 2023 - 19:14
Stoltenberg del me një thirrje

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Kinës që të bashkëpunojë për kontrollin e armëve, gjatë një konferencë të aleancës perëndimore të mbrojtjes në Uashington.

“Si një fuqi globale, Kina ka përgjegjësi globale”, tha Stoltenberg.

“Pekini gjithashtu do të përfitojë nga rritja e transparencës, parashikueshmërisë dhe sigurisë së marrëveshjeve të kontrollit të armëve”, shtoi ai.

“Kina po rrit me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor pa asnjë transparencë”, tha Stoltenberg, duke vlerësuar se Pekini do të ketë 1500 koka luftarake deri në vitin 2035.

“Rusia ishte kërcënimi më i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë”, tha zyrtari i lartë i NATO-s, duke shtuar se zhvillimet në vende të tjera, përfshirë Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut ishin gjithashtu shqetësuese.

“Duhet të kujtojmë se marrëveshjet për kontrollin e armëve nuk bëhen ndërmjet miqve, ato bëhen ndërmjet kundërshtarëve”, tha Stoltenberg, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

“NATO, aktualisht qëndron në një udhëkryq”, theksoi ai.

“Në një drejtim qëndron rënia e rendit ndërkombëtar të kontrollit të armëve dhe përhapja e pakufizuar e armëve të shkatërrimit në masë, me pasoja shumë të rrezikshme”, tha ai.

Sipas zyrtarit të NATO-s, një tjetër opsion, ishte të punohej për kontrollin e armëve për të reduktuar rreziqet, për të ndërtuar besimin dhe për të rritur sigurinë.

Në shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi pezullimin e traktatit të fundit të madh të Rusisë për çarmatimin bërthamor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, traktatin e ri “START”.

(Kosova Sot Online)