Bislimi takohet me Hovenier, diskutuan mbi procesin e dialogut dhe implementimin e Aneksit të Zbatimit

  • E.k /
  • 20 April 2023 - 15:18
Bislimi takohet me Hovenier, diskutuan mbi procesin e dialogut dhe implementimin e Aneksit të Zbatimit

Zëvendëskryeministri Bislimi sot ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përcjell “Kosova Sot Online”.

Në komunikatën e ZKM-së thuhet se Hovenier e ka përgëzuar dhe uruar Bislimin për liberalimin e vizave.

ZKM njofton se në këtë takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të Zbatimit.

Komunikata e plotë:

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Ambasadori Hovenier e përgëzoi dhe uroi zëvendëskryeministrin Bislimi mbi finalizimin dhe arritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënshkrimit zyrtar duke e cilësuar ditën e djeshme të suksesshme.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin dhe theksoi se Qeveria do të nisë një fushatë informimi për qytetarët si dhe do të forcojë mekanizmat koordinues institucionalë e do të bashkëpunojmë dhe me partnerët tanë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri strategjik kryesor i Republikës së Kosovës. Thellimi i marrëdhënieve mes dy shteteve tona është objektiv primar dhe vizita e zëvendëskryeministrit Bislimi me ministrin Murati javën e kaluar në SHBA e riafirmoi dhe synimin për të vazhduar fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mes nesh.

Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të Zbatimit. Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar, aktive dhe konstruktive në këtë proces.

(Kosova Sot Online)