Von Cramon: Bojkotimi i zgjedhjeve nga Lista Serbe ishte një gabim i madh

  • A.P /
  • 20 April 2023 - 20:54
 Von Cramon: Bojkotimi i zgjedhjeve nga Lista Serbe ishte një gabim i madh

Bojkotimi i zgjedhjeve speciale në katër komuna në veri të Kosovës nga Lista Serbe ishte një gabim i madh, ka theksuar raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, transmeton gazeta "Kosova Sot Online.

“Unë besoj se bojkoti ka ndodhur për shkak të vendimit të Beogradit. Lista Serbe nuk është e regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje dhe këtë e konsideroj një gabim të madh. Unë e kritikova hapur një vendim të tillë dhe u përpoqa të kontaktoj disa njerëz në Beograd.

Kjo është dashur të jetë një sinjal i mirë se të gjitha subjektet politike dhe kandidatët po regjistrohen dhe se njerëzit në veri po kthehen ngadalë në institucione, këto zgjedhje duhet të jenë test në këtë drejtim. Më vjen keq që Lista Serbe nuk është regjistruar dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe ky nuk është vërtet një sinjal premtues”, tha Von Cramon gjatë një interviste.

Ajo shtoi se bojkotimi i zgjedhjeve ishte zgjedhje e tyre dhe se kjo nuk duhet të përdoret nga ata për të përshkallëzuar situatën në veri.

“Shpresoj që njerëzit atje të jenë të kujdesshëm. Nëse nuk shkojnë në votime, ky është vendimi i tyre, por kjo nuk do të thotë se do të ketë ndonjë qëllim për të përshkallëzuar situatën. Unë do të doja të shihja një pjesëmarrje të lartë, por siç unë tha, partia kryesore vendosi të mos dalë dhe ky është problem”, u shpreh ajo.

Me rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Von Cramon tha se procesi ka përfunduar dhe se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm nga 1 janari 2024.

“Shpresoj se së shpejti do ta shohim Kosovën si pjesë të Këshillit të Evropës. Pra, aplikimi është pranuar dhe duhet ta vendosim në rend dite. Kjo ishte një nga pikat që u përmend në dialog. Edhe pse këto janë çështje të veçanta, me fleksibilitet në dialog, ky do të ishte hapi i radhës dhe aplikimi për anëtarësim në BE kërkon më shumë kohë”, theksoi ajo.


(Kosova Sot Online)