
Goncharenko: Serbia është parë tradicionalisht si një aleate kyçe e Rusisë në Ballkan

Deputeti ukrainas, Oliksiy Goncharenko, pjesë e delegacionit ukrainas në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, thotë se reagimet në Serbi janë deklarata manipulative, që nuk duhet të ndikojnë në agjendën politike të Ukrainës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Pozicioni i Serbisë në këtë çështje është i përkrahur nga Rusia dhe disa shtete të tjera, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Akuzat e Serbisë ndaj Ukrainës se e ka “tradhtuar solidaritetin sllav” dhe i ka përkrahur interesat perëndimorë, duken si deklarata manipulative, që nuk duhet në asnjë mënyrë ta ndikojnë agjendën politike ukrainase”, ka thënë në një intervistë
Sipas Goncharenkos, nëse ka diçka që duhet të quhet tradhti, është fakti që Serbia vazhdon të mbajë lidhje diplomatike dhe politike me Rusinë, derisa mijëra ukrainas vdesin nga agresioni rus.
“Serbia është parë tradicionalisht si një aleate kyçe e Rusisë në Ballkan dhe kjo situatë vërtetë nuk ka ndryshuar as pas sulmit rus ndaj Ukrainës”, thotë ai.
Goncharenko është tashmë i njohur për lobimin që ai bën në Ukrainë dhe në instancat evropiane për Kosovën. E njeh mbështetjen që kosovarët i kanë bërë ukrainasve dhe thotë se njohja e Kosovës është në vijën e vlerave që i përfaqëson Ukraina.
“Unë besoj fuqishëm që është obligim morale dhe politike e Ukrainës që të përkrahë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillit e Evropës, që do t’i ndihmojë në avansimin e kauzës për vetëvendosje dhe të drejtave të njeriut në shtetin e saj, për popullin e saj. Që nga 2008-a, Kosova është njohur si shtet i pavarur nga mbi 100 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumica e Bashkimit Evropian, që tani janë aleatët kryesorë të Ukrainës në luftën me Rusinë. Njohja e Kosovës si shtet i pavarur, me të drejtë për anëtarësim në KiE është kyçe për Ukrainën, duke ditur historinë e saj të luftës për pavarësi dhe të drejta të njeriut”, tha ai.
Deputeti ukrainas, i pyetur se sa janë shanset që Ukraina ta njohë Kosovën, ka dhënë pikëpamjen e tij mbi atë se çfarë e shtynë shtetin ish-sovjetik që të mbajë qëndrim kundër pavarësimit të Kosovës.
Sipas tij, e para, ka fuqi politike në Ukrainë që i druhen reagimit të Rusisë-Ukrainë, nëse njihet Kosova shtet, por kjo, thotë deputeti, është “pozicion i dobësisë”.
“Disa forca politike në Ukrainë janë akoma të shqetësuar për reagim të mundshëm të Serbisë dhe Rusisë, nëse Ukraina merr anën e Kosovës. Por, siç mund ta shohim, diplomacia e ‘zbutjes‘ nuk funksionon në botën moderne. Është pozicion i dobët që të bëhen koncesione në çështje që kanë të bëjnë me vlera të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, për shkak të frikës nga reagimi negativ i një shteti që ka bërë luftë ndaj nesh prej 9 vjetëve”, tha ai.
Arsyeja tjetër që e mban Ukrainën kundër njohjes së Kosovës, Goncharenko thotë se është krahasimi se nëse nuk i respekton integritetin territorial që e pretendon Serbia, mund të shkelet edhe integriteti territorial i Ukrainës, Këtë, deputeti ukrainas e sheh si krahasim të paqëndrueshëm.
“Një arsye tjetër pse qeveria e Ukrainës ngurron ta njohë Kosovën është frika që do të akuzohet për mungesë konsistence në qëndrimin e saj për integritetin territorial. Për shembull, nëse ne e njohim Kosovën (që “shkel” integritetin territorial të Serbisë) ne do t’ua japim idenë kundërshtarëve tanë që integriteti territorial i Ukrainës mund të shkelet gjithashtu, pa u ndëshkuar. Por, ky është një krahasim i dy konteksteve krejtësisht të ndryshme, ku në rastin e Ukrainës është një agresor specifik që po provon të pushtojë ilegalisht dhe me forcë territore që nuk i takojnë. Ndërsa, në rastin e dytë, është Kosova që deshi të bëhet e pavarur nga Serbia, për arsye të ndryshme, duke përfshirë abuzimet me të drejtat e njeriut nën pushtetin e Serbisë”, thotë ai.
Ukraina ishte në mesin e pesë shteteve që abstenuan në aprovimin e aplikimit të Kosovës në KiE, ndërsa 33 shtete votuan pro e shtatë shtete kundër.
Abstenimin e Ukrainës dhe i disa shteteve që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, kanë nxitur reagime në Serbi. Kryediplomati i këtij shteti, Ivica Daçiq është “befasuar për të keq” nga qëndrimin i Ukrainës, sepse, thotë ai, “Serbia e ka dënuar cenimin e integritetit territorial të këtij shteti në të gjitha rezolutat e botës”.
(Kosova Sot Online)