Nathalie: Të bëhet Asociacioni e të kthehen serbët në institucione

  • A.P /
  • 27 April 2023 - 17:46
Nathalie: Të bëhet Asociacioni e të kthehen serbët në institucione

Zv.Përfaqësuesja e Francës në Këshillin e Sigurimit, Nathalie Broadhurst ka thënë se çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është e një rëndësie të veçantë. Ajo ka thënë e për statutin e Asociacionit do të flasin edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vucic në takimin e 2 majit në Bruksel, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Realizimi i asociacionit të komunave është kritik. Takimi Kurti-Vucic do të përfshijë biseda për statutin e Asociacionit. Sa i përket zbatimit të marrëveshjeve, Franca mbetet e përkushtuar në pritjet e saja për përkushtim nga dy palët, sa i përket perspektivës evropiane.

Duhet të shmangen konfliktet për të mos u shkatërruar arritjet. Palët të përmbahen nga gjuha e ashpër”, ka thënë diplomatja franceze

Ajo ka përshëndetur faktin që në organizimin e zgjedhjeve lokale s’ka pasur tensione, megjithatë ka thënë se ato nuk afrojnë zgjidhje afatgjate.

Sipas diplomates franceze, prioritete duhet të jenë Asociacioni dhe kthimi i serbëve në institucione.

“Zgjedhjet e mbajtura në veri kanë shkuar pa incidente. Shprehim mirënjohje për Qeverinë e Kosovës për diçka të tilla. Në këtë kontekst zgjedhjet s’mund të paraqesin zgjidhje afatgjate. Prioritet duhet të jetë Asociacioni dhe kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës”, ka thënë ajo.

Në fund ka thënë se presidenti Macron mbetet i përkushtuar në ofrimin e mbështetjes për arritjen e paqes dhe stabilitetit.

“Macron vazhdon të mbetet i përkushtuar në ofrimin e mbështetjes për arritjen e paqes dhe stabilitetit, sepse s’ka rrugë tjetër”, ka përfunduar përfaqësuesja franceze.

(Kosova Sot Online)