Për personat që u mbajtën në burg pa arsye shteti pagoi mijëra euro kompensim

  • A.P /
  • 03 May 2023 - 17:29
Për personat që u mbajtën në burg pa arsye shteti pagoi mijëra euro kompensim

Për shtatë vjetët prapa grilave,Naser Pajazitaj planifikon t’i kërkojë 1 milion euro, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kërkesa të tilla vjet kanë bërë mbi 100 persona që kanë qenë në paraburgim apo të arrestuar pa arsye. Kompensimi i tye i ka kushtuar shtetit mbi 251 mijë euro. Por, ka edhe prej atyre që kanë refuzuar kompensimin. Njëri prej tyre ka qëndruar në burg gati pesë vjet dhe nëse do të pranonte të kompensohej do t’i takonin rreth 32 mijë euro.

 

Naser Pajazitaj ka vendosur që të kërkojë kompensim për shtatë vjetët që ka kaluar në burg, si i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj. Nga akuza për vrasjen e kushërirës, Pajazitaj është liruar para tri javësh, me vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës Supreme.

Sipas Aktgjykimit të Supremes që është publikuar dje, nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e tij.

Si dëmshpërblim, ai planifikon t’i kërkojë 1 milionë euro. Kërkesa pritet të përpilohet gjatë kësaj jave.

“Po, patjetër që do të pasojë kërkesa për dëmshpërblim. Naserit përveç linçimeve dhe bullizimeve të fëmijëve të tij, i janë humbur 8 vite të jetës së tij në burgje. Ne do t’i kërkojmë 1 milion euro.  Besoj që brenda javës, do ta kemi gati”, ka deklaruar avokati i Pajazitajt, Ahmet Tahiri.

63-vjeçari s’është i pari e as i vetmi që do të kërkojë kompensim për vjetët që ka kaluar në burg. Për çdo vit, kompensim kërkojnë dhjetëra persona të cilët janë dënuar ose arrestuar pa arsye.

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjatë vitit të kaluar, 104 persona janë kompensuar për ditët që kanë kaluar në burg ose arrest shtëpiak. Kompensimi i tyre i ka kushtuar shtetit 251 mijë e 302 euro për vitin 2022.

Image

(Kosova Sot Online)