Krasniqi: Ramush Haradinaj është vagoni i fundit i Kuvendit të Kosovës

  • A.P /
  • 22 June 2023 - 21:10
Krasniqi: Ramush Haradinaj është vagoni i fundit i Kuvendit të Kosovës

Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për shkak se jeta e qytetarëve është rënduar në këto dy vite të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Mendoj që duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht. Jeta në Kosovë ka degradu, vendi po shpopullohet, nuk po shkojnë njerëzit prej Kosovës për t’u mos u kthyer më prej të mirave. Kanë shku 120 mijë njerëz. Nuk ka qenë kështu në vitin 2015”, ka thënë ai.

Në lidhje me mocionin e propozuar për rrëzim të Qeverisë, nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, Krasniqi e përmendi një frazë popullore “Kur s’ke çfarë të bësh, lëvize rezen e derës”.

Sipas tij, Haradinaj është tejet i paqartë në veprimet e tij, derisa atë e quajti si “vagoni i fundit i Kuvendit të Kosovës”, duke aluduar për numrin sipas tij të vogël të deputetëve që i ka AAK-ja.

“Haradinaj është i paqartë në veprimet e veta… Kjo është pyetje komplet pa vend, për çfarë të frikësohemi? Që po kemi sukses apo që s’kemi sukses. A mundet me na tregu, qysh lidhet me ba mocion e me dërgu letra te presidentja e kryeministri, për të diskutuar, është komplet jokonsistent. Ai është vagoni i fundit në Kuvend, 7-8 deputetë i ka”, ka thënë ai.

Ai tha se të gjithë opozita të bëhet bashkë nuk i kanë numrat për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës. 

(Kosova Sot Online)