Osmani: Srebrenica, simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe

  • E.K /
  • 11 July 2023 - 17:04
Osmani: Srebrenica, simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës, ka pritur në takim deputetin e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje dhe Hercegovinës, Shemsudin Mehmedoviq, si dhe një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak në Kosovë, përfshirë zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, përcjell "Kosova Sot Online".

Presidentja Osmani ka potencuar se gjenocidi në Srebrenicë është simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe. 

“Në takim, Osmani ka potencuar se vuajtjet e popullit boshnjak në këtë ditë të trishtë ndahen edhe nga populli i Kosovës, duke theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe. Presidentja ka thënë se kujtimi për ta është i çdoditshëm, ndërsa ka folur edhe për krimet makabre dhe masakrat e regjimit gjenocidal serb kundër popullit të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

“Në diskutim me deputetin Mehmedoviq, Osmani ka thënë se koordinimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm në këtë periudhë kur tendencat për destabilizim dhe minim të paqes janë në rritje, prandaj në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit boshnjak në Kosovë si urë ndërlidhëse e këtij koordinimi”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)


(Kosova Sot Online)