
Malishevë: Mbi 700 pickime të rriqrave

Në Komunën e Malishevës, edhe këtë vit janë shënuar mbi 700 pickime nga rriqrat, prej tyre 3 persona janë dërguar në Klinikën Infektive në QKUK, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Zyrtarë nga kjo komunë thonë se ata kanë bërë spërkatjet dhe repelimin e kafshëve, por edhe kanë mbajtur ligjërata në shkollat e kësaj komune si të mbrohen nga pickimet e rriqrave.
Komuna e Malishevës njihet si vatër endemike e rriqrave, ku nga paslufta, si pasojë e etheve hemorragjike Krime Kongo, kanë vdekur 18 persona. E kjo vazhdon të jetë ende sfidë për këtë komunë, ndonëse nga viti 2014, përveç pickimeve nuk ka asnjë rast vdekjeje.
Drejtori i Shëndetësisë nga kjo komunë, Hajdin Berisha për Radio Kosovën thotë se përkundër përgatitjeve dhe masave parandaluese që janë ndërmarrë, ka një numër të konsiderueshëm të pickimeve.
“Aktualisht i kemi 752 raste të pickimeve 3 raste i kemi dërguar në Klinikën Infektive. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rënie. Jemi në muajt korrik dhe gusht ku mund të shtohet numri i pickimeve”, tha ai.
Komuna e Malishevës për parandalimin e përhapjes së etheve hemoragjike përveç spërkatjes ka organizuar edhe fushatë për informimin e publikut.
(Kosova Sot Online)