A i bëri dëm FSK-së ekspozimi i dronëve?

  • A.P /
  • 18 July 2023 - 19:48
A i bëri dëm FSK-së ekspozimi i dronëve?

Sa i përket ekspozimit të dronëve, ish-ushtaraku i FSK-së, Afrim Veseli, ka theksuar se lajmi i publikimit të blerjes së dronëve i bëri dëm FSK-së, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Unë e kam konsideruar gabim ekspozimin e dronëve”, vijoi ai.

Sipas tij, kjo çështje është politizuar aq shumë sa që i bën dëm edhe Mbrojtjes Nacionale të vendit. Ndër të tjera, ai theksoi edhe problemin e shfrytëzimit të hapësirës ajrore.

“Për çdo fluturim ushtarak duhet të koordinohemi me KFOR-in, apo me NATO-n”, theksoi Veseli.

Ndër të tjera, tutje ai tha se në aspektin ushtarak çdo pajisje e re me të cilën bëhet FSK-ja, e forcon atë në nivel ushtarak.

“Por, shpresoj shumë në mirëkuptimin e NATO-s dhe SHBA-ve, dhe ta lënë anash aspektin politik ta përkrahin FSK-në për zhvillimin e kapaciteteve ajrore”, vijoi ai.

Tutje, Veseli tha se nuk duhet keqpërdorur kjo arritje e FSK-së për përfitime politike duke përmendur edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin, Albin Kurti, duke i ekspozuar armët.

Këtë veprim, Veseli e ka cilësuar si gabim të rëndë të krerëve shtetërorë.

Ndryshe, më 16 korrik, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për blerjen e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia, por nuk ka treguar për numrin e tyre.

Në prezantimin e dronëve të dielën, Kurti u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Me blerjen e dronëve, Kurti ka vlerësuar se Kosova tash është edhe më e sigurt.

Ai ka përgëzuar oficerët të cilët kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

(Kosova Sot Online)