Abdixhiku: Pushteti po na ndanë dhe po na përçanë

  • A.P /
  • 31 July 2023 - 15:41
Abdixhiku: Pushteti po na ndanë dhe po na përçanë

“Rrugën e Re” si një rrugëdalje të mundshme për të ardhmen e vendit”, e ka paraqitur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se pushteti aktual po ndan dhe përçan popullatën në vend.

Tutje, ai tha se në një klimë të tensionuar, përplasjet dhe krizat vazhdojnë të përhapen, ndërkohë që qytetarët ndihen të braktisur dhe spektatorë të fatit të tyre.

“Polarizimi i shoqërisë sonë nuk ka të ndalur. Pushteti po na ndanë, po na përçanë, po na lë në të njëjtin vend. Përplasjet na vijnë çdo ditë, krizat po aq shpesh, e ne jemi shndërruar spektatorë të fatit tonë teksa njerëz me plot urrejtje a pa vullnet për punë vendosin për ne”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, ai tha se ka takuar përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, ligjërues universitarë dhe biznese të mëdha në vend.

Abdixhiku tha se gjendja e tanishme nuk përfaqëson “vërtetësisht popullin e Kosovës dhe se ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndryshuar dhe për të ndaluar gabimet e të kaluarës”.

“Pavarësisht bindjeve që mund t’i kemi, pavarësisht dallimeve që mund t’i gjejmë, ju ftoj të mbështesni Rrugën e re. Rrugën që s’bën gabimet e së shkuarës e ndalon theqafjen e tashme. Rrugën që s’merret me të kaluarën, por thjeshtë na bën të ardhmen. Rruga e re ka filluar dhe nuk do të ndalet. Rruga e re ka nevojë për mbështetjen tënde”, ka shkruar Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)