Milionat që Serbia i jep firmave të lobimit në SHBA : Qëllimi është të shpëtohet fytyra e Vuçiqit, jo reputacioni i Serbisë

  • S.A /
  • 03 August 2023 - 08:09
Milionat që Serbia i jep firmave të lobimit në SHBA : Qëllimi është të shpëtohet fytyra e Vuçiqit, jo reputacioni i Serbisë

Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, në vetëm dhjetë ditë nënshkroi dy kontrata me kompanitë lobuese “KARV Communication” dhe “BGR Government Affairs”. Vlera e këtyre dy kontratave, pa llogaritur kostot shtesë, do t’i kushtojë Serbisë një milion e 320 mijë dollarë për një vit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Detyra e këtyre firmave lobuese është e ngjashme dhe objektivi kryesor i tyre është që t’u mundësojnë përfaqësuesve të ambasadës serbe të kenë kontakte relevante me zyrtarë të qeverisë amerikane, organizata joqeveritare dhe media në SHBA.

Detyra e KARV-it është gjithashtu të promovojë dhe shpjegojë “politikat dhe iniciativat e ndryshme të Qeverisë së Serbisë përmes kontaktit me mediat dhe grupet përkatëse me seli në SHBA”.

Bashkëbiseduesit e gazetës Danas pyesin se çfarë po bën ambasadori Marko Gjuriq, nëse kompanitë lobuese duhet t’i sigurojnë atij kontakte me zyrtarët amerikanë dhe nëse kjo nuk është puna e tij themelore dhe e përditshme. Askush nuk mund të jetë lobist më i mirë se ambasadorët që përfaqësojnë vendin, thonë ata.

Ata gjykojnë se është thjesht një humbje parash, sikur Serbia të jetë një milioner i dehur dhe se qëllimi i këtij angazhimi nuk është të shpëtojë reputacionin e Serbisë, por të shpëtojë fytyrën e Vuçiqit.

“Vetë fakti që Marko Gjuriq, ambasadori i Serbisë në SHBA, nënshkroi dy kontrata për angazhimin e kompanive në lobim te establishmenti amerikan dhe mediat në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër thotë shumë. Para së gjithash, kjo konfirmon se qëndrimet tona, komunikimi dhe mundësia për të depërtuar në bashkëbiseduesit përkatës nuk janë të kënaqshme dhe se përfshirja e kompanive të përmendura është e nevojshme për të depërtuar në struktura të caktuara të rëndësishme për ne”, vëren diplomatja e pensionuar e karrierës Branka Latinoviq.

Ajo po ashtu vlerëson se angazhimi i këtyre kompanive nuk është aspak i lirë dhe se për momentin nuk e di se cilat do të jenë efektet.

“Së shpejti do të shohim se çfarë dhe sa do të marrim duke paguar kompanitë lobuese”, thotë e intervistuara i Danas-it dhe vlerëson se asnjë kompani e huaj nuk mund të jetë më e suksesshme se përfaqësuesit diplomatikë.

Ajo shton se ajo me të cilën do të merren kompanitë lobuese përfshin në fakt përshkrimin e punës dhe detyrat e çdo diplomati serb.

“Fakti që thuhet se puna e tyre është të përfshijnë “kontakte përkatëse me zyrtarë të qeverisë amerikane, organizata joqeveritare dhe media në SHBA” ose se ata do të ndihmojnë në promovimin e “politikave dhe iniciativave të ndryshme të qeverisë serbe përmes kontaktit me median dhe grupet përkatëse” në fakt i takon përshkrimit të punës dhe detyrave të secilit ambasador të Serbisë dhe ekipit të tij”, thotë Latonoviq.

Sipas saj, angazhimi i ekipeve lobuese hap një sërë çështjesh të tjera, në radhë të parë cilësinë dhe aftësinë e stafit diplomatik për të përmbushur detyrimet e tyre të rregullta.

“Jam mese e befasuar kur mësova se përshkrimi i punës së një lobisti përfshin edhe sigurimin e kontakteve përkatëse me përfaqësues të qeverisë amerikane. Ambasadori i Serbisë është ai që duhet të ketë një linjë pune të përhershme komunikimi me figurat përkatëse të qeverisë amerikane. Është punë e vështirë, por ndërtohet gradualisht, ushqehet dhe mirëmbahet. Diplomacia është një punë e lodhshme dhe kërkuese, pas çdo vizite dhe bisede fshihen muaj të tërë pune të mundimshme për realizimin e tyre. Për të punuar në diplomaci nuk mjafton vetëm njohuria, por edhe aftësia për atë punë, që je depërtues, këmbëngulës, se ke kontakte të mira, se ke aftësi për ta arritur. Çdo detyrë diolomatike është edhe një sfidë e madhe, por duhet ta bësh vetë, të angazhohesh vetë”, thotë ajo.

Latonoviq shton se prioritet i punës së çdo diplomati është shpjegimi i iniciativave politike serbe përmes shpërndarjes së fjalimeve dhe deklaratave dhe këtë do ta bëjnë tani lobistët.

Ajo pranon se SHBA-ja janë një vend i madh, kompleks dhe se numri i përfaqësuesve serb në përfaqësinë diplomatike-konsullore është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha këto nevoja.

“Për mua është i kuptueshëm dhe i justifikuar angazhimi i kompanive për lobim në nivele të tjera, por jo se hapin rrugën e kontakteve me strukturat qeveritare. Kjo është detyrë e ambasadorëve të çdo vendi dhe ata dinë ta bëjnë këtë. Ambasadori është ai që është edhe lobisti më i madh i vendit të tij dhe këtu është shumë e rëndësishme përfaqësimi dhe fuqia e tij e komunikimit. Edhe sot më kujtohet një dalje në CNN nga Ivan Vujaçiq, ish-ambasadori ynë në SHBA. “Stili i tij ambasador” i performancës, përgjigjet e formuluara mirë dhe anglishtja e shkëlqyer e bënë më se të habitur drejtuesin e programit, të famshmin Jim Clancy dhe kamerat ndoqën shprehjen e tij të fytyrës. “Për fat të keq nuk ka shfaqje të tilla nga ambasadorët tanë, jo vetëm në CNN”, vlerëson ajo.

Sreçko Gjukiq, një diplomat në pension, është skeptik se Serbia do të fitojë diçka duke punësuar firma lobimi.

“Nuk do të marrim asgjë. Ne i japim para një firme lobimi amerikan dhe lobimi i tyre në Serbi vërehet si “suksesi” i regjimit në përmirësimin e vlerësimit të lëkundur. Është thjesht një humbje parash dhe Serbia duket si një milioner i dehur”, thotë Gjukiq.

Ai gjithashtu beson se shteti serb nuk ka diplomaci dhe se shteti nuk di t’i vendosë detyrë, sepse politika e Serbisë është e ngatërruar dhe e pakuptueshme, kurse për Amerikën është retrograde.

(Kosova Sot Online )