Kina ndalon publikimin e shkallës së papunësisë te të rinjtë

  • A.P /
  • 15 August 2023 - 16:38
Kina ndalon publikimin e shkallës së papunësisë te të rinjtë

Kina e ka ndaluar publikimin e të dhënave për shkallën e papunësisë te të rinjtë, dhe diçka e tillë është parë si indikacion për ngadalësim të ritmit ekonomik, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Një zëdhënës qeveritar ka thënë se vendimi është bërë për shkak të disa ndryshimeve në ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe shoqërinë e saj.

Në qershor, shkalla e papunësisë së Kinës për grup-moshën 16-24 vjeç ka prekur rekord prej mbi 20 për qind.

Banka Qendrore e Kinës ka marrë, po ashtu, vendim që të zvogëlojë koston e huadhënies, në tentim e sipër për ta rritur qarkullimin ekonomik.

Të dhënat zyrtare, të publikuara të martën, kanë treguar se shkalla e papunësisë në Kinë është rritur në 5.3 për qind në korrik.

Mospublikimi i të dhënave për të rinjtë ka nxitur menjëherë reagime në rrjetin social kinez, Weibo.

“Mbyllja e gojës dhe syve, a ndihmon njëmend në zgjidhje të problemeve? Me punësim fleksibil, punësim të vogël dhe punësim të pavarur, nëse punoni vetëm për një orë, nënkupton që nuk jeni i punësuar. Mos i trajtoni me seriozitet statistikat e Byrosë së Statistikave”, ka thënë një përdorues i platformës.

Vendimi i Qeverisë kineze ka ardhur pas raportimeve se rimëkëmbja ekonomike në Kinë, pas pandemisë së koronavirusit, është e ngadalshme.

Për koronavirusin është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili. 

(Kosova Sot Online)