
Ambasada Britanike uron 'Doganën e Kosovës' për 1 miliardëshin

Ambasada Britanike në Prishtinë ka uruar Doganën e Kosovës, e cila njoftoi se është arritur rekord i të hyrave, ku janë mbledhur 1 miliard euro, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas Doganës, krahasuar me vitin e kaluar, të hyrat janë tejkaluar me 71 milionë euro apo 7.62 për qind.
Nga ambasada kanë thënë se këto rezultate pasqyrojnë punën e palodhur dhe përkushtimin e të gjithë atyre që punojnë brenda institucionit.
“Urime për Doganën e Kosovës për arritjen e rezultateve kaq të shkëlqyera, duke mbledhur mbi 1 miliard euro të hyra këtë vit. Këto rezultate pasqyrojnë punën e palodhur dhe përkushtimin e të gjithë atyre që punojnë brenda institucionit”.
“Mbretëria e Bashkuar ka marrëdhënie të veçantë dhe afatgjatë me Doganën e Kosovës dhe mbetemi të përkushtuar për të dhënë mbështetje në këtë fushë”, thuhet në urimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.
(Kosova Sot Online)