Dy edukatoreve të akuzuara për keqtrajtimin e 3-vjeçarit në Fushë-Kosovë iu ndërpritet paraburgimi

  • A.P /
  • 27 October 2023 - 18:39
Dy edukatoreve të akuzuara për keqtrajtimin e 3-vjeçarit në Fushë-Kosovë iu ndërpritet paraburgimi

Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe të dytë ndaj edukatorëve të akuzuara se ushtruan dhunë ndaj 3-vjecarit në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, duke ua ndërprerë masën e paraburgimit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në vendimin e 12 tetorit 2023 të siguruar, thuhet se gjykata e ka cilësuar si të bazuar kërkesën e mbrojtjes së N.M përmes avokatit Muharrem Kurtaj për mbrojtje të ligjshmërisë dhe se ndaj të pandehurave është marrë vendim që të lirohen.

“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësit të të pandehurës N.M., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurën N.H., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Fushë Kosovë PPR.nr.59A/2023 datë 20.9.2023 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, PNDP.1.nr.1449/2023 datë 27.9.2023, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë në liri”, thuhet në vendimin e marrë nga kryetarja e kolegjit të gjykatës supreme, gjyqtarja Mejreme Memaj, sipas betimit për drejtesi.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Gjykata Supreme ka vlerësuar se nuk ka bazë ligjore për mbajtjen në paraburgim të të pandehurave dhe se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë vetëm kanë parafrazuar dispozitat ligjore për masën e paraburgimit.

(Kosova Sot Online)