Von der Leyen sot në Beograd takohet me Vuçiqin dhe Bërnabiqin

  • E.K /
  • 31 October 2023 - 10:57
Von der Leyen sot në Beograd takohet me Vuçiqin dhe Bërnabiqin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot do të vizitojë Beogradin, ku do të takohet me Vuçiqin dhe Bërnabiqin.

Sipas kumtesës së zyrës për media të presidentit serb, Vuçiq dhe Von der Leyen fillimisht do të kenë një takim kokë më kokë në Pallatin e Serbisë, e më pas me anëtarët e dy delegacioneve.

Vuçiq ka thënë mbrëmë se do të ketë diskutime me von der Leyen gjatë gjithë ditës për të gjitha çështjet e rëndësishme për Serbinë.

“Nesër do të kemi bisedime gjatë gjithë ditës dhe gjatë gjithë mbrëmjes. Përveç bisedimeve zyrtare, dhe asaj që do të kumtojmë publikisht, do të bisedojmë privatisht dhe pas darkës për çështje të rëndësishme për Serbinë”, tha ai.

Von der Leyen shkon në Beograd si pjesë e një vizite katër-ditore në Ballkanin Perëndimor, të cilën ajo e filloi të dielën në Shkup, me qëllim që të prezantojë detajet e Planit të Zgjerimit të BE-së për rajonin.

Ajo dje ishte edhe në Prishtinë, ku në një konferencë për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që Kosova t’i japë mundësi formimit të Asociacionit, dhe Serbia të pranojë njohjen de facto të Kosovës.

Von der Leyen u takua më parë në Shkup me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Steve Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ku ajo përsëriti se BE-ja planifikon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë reformat e nevojshme për integrimin në bllokun evropian me një investimi prej gjashtë miliardë eurosh.

Von der Leyen do të vizitojë Malin e Zi mëngjesin e sotëm, ndërsa turneun ballkanik do ta përfundojë nesër në Bosnje dhe Hercegovinë.

(Kosova Sot Online)