Dimal Basha reagon pasi Prokuroria Speciale kërkoi intervistimin e Haxhiut për rastin Dehari

  • S.A /
  • 09 November 2023 - 12:35
Dimal Basha reagon pasi Prokuroria Speciale kërkoi intervistimin e Haxhiut për rastin Dehari

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pasi Prokuroria Speciale ka lëshuar autorizim që të intervistohet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me rastin Dehari. Basha ka thënë se kjo prokurori s’ka asnjë aktakuzë lidhur me rastin Dehari qe shtatë vjet, derisa i ka cituar disa deklarata të Ambasadës së ShBA’së në Kosovë lidhur me Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Prokuroria që: 1. S’ka asnjë Aktakuzë për rastin e Astrit Deharit për 7 vjet rresht,  2. Prokuroria që në bashkëpunim me AKI-në ka synu me shpallë Levizjen Vetëvendosje si organizatë terroriste,  3. Prokuroria që e ka tërhjek aktakuzën për Kryeterroristin Radojçiç,  paska gjet kohë me ngrit Aktakuzë ndaj Arlindit dhe Egzonit, dhe  paska kërku që Ministrja Haxhiu me ia zgjidh rastin e Astrit Deharit! Me fol unë, thonë po je i anshëm, por ja çka thotë Ambasada Amerikane për këtë Këshillin Prokurorial që udhëheq me prokurorinë në këtë Republikë;”, ka shkruar Basha.

Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar një dokument, sipas të cilit, prokurori special Afrim Shefkiu, kërkon që të intervistohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në cilësinë e dëshmitares për rastin e Astrit Deharit, për shkak të një shkrimi që e ka bërë me datën 5 nëntor 20223. Haxhiu ka thënë se është përgjegjësi e prokurorit Afrim Shefku që të tregojë se kush janë vrasësit, ndërkohë që ka thënë se do ta japë dëshminë e saj për këtë rast.

“Prokurori Special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga unë që të përgjigjem se kush janë vrasësit e Astrit Deharit! E gjithë kjo bazuar në një status timin në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit.Është një gjë e thjesht që duhet ta dijë një prokuror. Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar. Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij. Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefiku e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e këtij rasti. Ai është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit!Unë natyrisht do të jap dëshminë time lidhur me këtë.Prokurori Shefiku dhe eprori i tij, që nuk mund të na heshtin, në kërkesën tonë për drejtësi.Bashkëngjitur gjeni Autorizimin”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

(Kosova Sot Online )