Gazetari serb: Fuqitë e mëdha s’e pyesin Serbinë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, siç s’e pyetën më 1999

  • E.K /
  • 18 November 2023 - 15:46
Gazetari serb: Fuqitë e mëdha s’e pyesin Serbinë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, siç s’e pyetën më 1999

Kryetari i Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, Zhelko Bodrozhic, në një intervistë për FoNet, ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë është një realitet ashtu siç është edhe “dorëzimi i Kosovës” në vitin 1999.

Bodrozhic ka thënë se të gjithë kanë harruar se në vitin 1999 “Millosheviq, Sheshel, Vuçiq, Daçiq dhe gjithë ekipi e humbën luftën, e dorëzuan dhe e shitën Kosovën”.

Sipas tij, vazhdimi i konfliktit të ngrirë me Kosovën është një plan i “atyre që tashmë e kanë humbur Kosovën për të fshehur dështimin e tyre me mite e legjenda të reja, që është dështimi ynë i përbashkët”, ka thënë Bodrozhic, shkruan Danas.

Tutje kreu i Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve të Serbisë ka thënë se është gjithmonë pro dialogut në mes të popujve që janë fqinjë, megjithatë sipas tij duhet të ketë elita që mund të arrijnë marrëveshje “pa tutorë të huaj”.

Sipas tij, në momentin që në tavolinë gjendet një ndërkombëtar, atëherë ka presion dhe ultimatume.

Anëtarësimi i Kosovës në OKB, sipas Bodrozhiqit, nuk është çështje e Serbisë, sepse sipas tij  “ashtu si fuqitë e mëdha vendosën në vitin 1918 që Serbia të merrte Vojvodinën, ose në vitin 1999 të humbiste Kosovën, ashtu edhe tani do të vendosin për karrigen në OKB-së” pavarësisht nëse Serbia është pro ose kundër.

(Kosova Sot Online)