Kryediplomatja belge: Dialogu është mënyra për paqe afatgjate me Serbinë, tensionet janë ende të larta

  • E.K /
  • 24 November 2023 - 14:08
Kryediplomatja belge: Dialogu është mënyra për paqe afatgjate me Serbinë,  tensionet janë ende të larta

Ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib, pas takimit me homologen e saj kosovare, Donika Gërvalla, tha se në diskutimin e tyre tema thelbësore ishte tema për dialogun Kosovë-Serbi, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ministrja Lahbib tha se dialogu është e vetmja rrugë për paqe afatgjate, që do t’u japë të dyja palëve një të ardhme të integrimit në BE.

“Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka qenë tema thelbësore, të cilën e kam ngritur edhe dje në Beograd. Të njëjtën porosi do të përçoj edhe këtu. Është bërë një përparim i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve, sidoqoftë tensionet janë ende të larta. Vetëm me dialog mund të arrihet. Përgjigjja që po e kërkojmë është deeskalimi dhe një përkushtim për procesin e normalizimit. Kjo është e vetmja mënyrë për të gjetur një paqe afatgjate dhe që do t’u japë të dyja palëve një të ardhme të integrimit në BE”.

Ajo tha se Kosova dhe Belgjika duhet të rrinë krah njëra-tjetrës në sfidat aktuale.

“Duke i pasë parasysh sfidat gjeopolitike, besoj fuqimisht që duhet të qëndrojmë sa më afër njëri-tjetrit që mundemi si partnerë të mirëfilltë dhe miq që jemi”.

(Kosova Sot Online)