Tragjedi rrugore në Itali, ambulanca përplaset me autobusin plot me fëmijë, 4 të vdekur

  • E.K /
  • 28 December 2023 - 07:44
Tragjedi rrugore në Itali, ambulanca përplaset me autobusin plot me fëmijë, 4 të vdekur

Përplasja e fortë midis një ambulance të Kryqit të Kuq që po transportonte një pacient të sëmurë dhe një autobusi që transportonte fëmijë, ka shkaktuar një tragjedi rrugore në Itali.

Katër janë viktimat nga aksidenti i ndodhur brenda tunelit në SS73 bis, ose e njohur si “rruga” midis Urbinos dhe Fermignano.

Mediat italiane raportojnë se ambulanca ka marrë flakë pas përplasjes kokë më kokë më autobusin dhe një re e dendur tymi pushtoi tunelin.

Katër viktimat në aksident janë të gjithë personat që ndodheshin në ambulancë. Bëhet fjalë për dy pjesëtarë të ekuipazhit, shoferin dhe personin që po transportohej.

Ambulanca e nisur nga Fossombrone drejt spitalit të Urbinos, shkatërroi plotësisht pjesën e përparme të autobusit, në aksidentin që ndodhi rreth orës 16:00 në tunelin e Rrugës Shtetërore 73bis. Por, fatmirësisht nuk ka viktima në radhët e 30 fëmijëve të moshës 7 deri në 13 vjeç, që udhëtonin në bordin e autobusit të ardhur nga jugu i Marche.

Raportohet se ata janë të gjithë të sigurt, përfshirë edhe priftin që i shoqëronte dhe kanë arritur të shpëtojnë para se të shpërthejë zjarri. Famullitë kanë dërguar një autobus tjetër për të marrë djemtë, të cilët ende nuk janë kthyer në Grottammare.

(Kosova Sot Online)