Kaosi me mbeturina në Prishtinë, Rama liron nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike

  • E.K /
  • 02 February 2024 - 14:51
 Kaosi me mbeturina në Prishtinë, Rama liron nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se e ka shkarkuar Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, përcjell “Kosova Sot Online”.

Si arsye për shkarkim, Rama e ka dhënë menaxhimin e mbeturinave, që ka thënë se është gjendje alarmante.

Tutje, Rama ka thënë se tash e një vit ka kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar.

Andaj, sot, kam marrë VENDIM për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike.

Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë.

Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate.

(Kosova Sot Online)