Ja kush thotë: Tragjedia në Gaza të përfundojë sa më shpejtë

  • A.P /
  • 05 February 2024 - 17:06
Ja kush thotë: Tragjedia në Gaza të përfundojë sa më shpejtë

Ministri i Jashtëm francez Stephane Sejourne bëri thirrje që “tragjedia” në Gaza të përfundojë gjatë një vizite të hënën në Jerusalem, në nisje të një turneu katër-ditor në rajon, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sejourne bëri thirrje gjithashtu për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar nga të gjitha palët, si dhe për një armëpushim të menjëhershëm, nga i cili ai tha se do të përfitojnë civilët dhe pengjet e Gazës.

Tre shtetas francezë janë ende mes pengjeve të mbajtura në enklavën palestineze që kur u kapën nga militantët e Hamasit në sulmin e tyre më 7 tetor në Izraelin jugor. Ministri francez, vendi i të cilit planifikon të vendosë sanksione kundër kolonëve izraelitë që kryejnë akte dhune në Bregun Perëndimor, tha gjithashtu se disa liderë politikë në Izrael duhet të përmbahen nga nxitja e urrejtjes ndaj palestinezëve.

Ai tha se zhvendosjet e detyruara ose në Gaza ose në Bregun Perëndimor duhej të parandaloheshin dhe rinovoi thirrjet franceze për një zgjidhje të konfliktit me dy shtete. Sejourne, i cili u takua me homologët egjiptianë, jordanezë dhe izraelitë, do të vizitojë Ramallah dhe Bejrut përpara se të kthehet në Paris.

(Kosova Sot Online)