Gashani: Që nga liberalizimi i vizave nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave, çdo gjë është duke shkuar në suaza normale

  • E.K /
  • 09 February 2024 - 15:19
Gashani: Që nga liberalizimi i vizave nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave, çdo gjë është duke shkuar në suaza normale

Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur takimin e rregullt me Atashetë e Migrimt të ambasadave të huaja në Kosovë, me qëllim për të diskutuar trendët e përgjithshme të migrimit, me theks të veçantë lëvizjet migratore, si dhe monitorimin e procesit të lëvizjes së qytetarëve të Kosovës pas procesit të liberalizimit të vizave, transmeton “Kosova Sot Online”.

Në këtë takim, Koordinatori kombëtar për Migrim, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani theksoi se s’ka pasë raportime për mosrespektim të rregullave të lëvizjes pa viza.

“Siç jeni në dijeni, nga data 1 janar 2024, ka filluar lëvizja e lirë në zonën Schengen për qytetarët e Republikës së Kosovës, e drejtë kjo e fituar me shumë punë dhe përkushtim. Si institucione kemi bërë përgatitjet e duhura për të menaxhuar këtë proces, duke përfshirë informimin e qytetarëve tanë lidhur me të drejtat dhe obligimet që derivojnë nga kjo liri e lëvizjes. Në bazë të raporteve, të cilat i kam pranuar nga mekanizmat përgjegjës institucionalë deri më tani, çdo gjë është duke shkuar në suaza normale dhe nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave”, theksoi zëvendësministri Gashani.

(Kosova Sot Online)