Ja sa pacientë do të transferohen për trajtim jashtë Rripit të Gazës

  • A.P /
  • 05 March 2024 - 21:13
Ja sa pacientë do të transferohen për trajtim jashtë Rripit të Gazës

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpreh zhgënjimin për trajtimin e mijëra personave në Rripin e Gazës, të cilët duhet të transferohen jashtë kësaj zone për të marrë trajtimin e duhur. Sipas të dhënave, rreth 8000 pacientë duhet të zhvendosen në zona të tjera, pasi vetëm një numër i vogël prej tyre kanë mundur të transferohen deri më tani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

OBSH ka vendosur ekipe në terren për të ofruar mbështetje logjistike dhe mjekësore dhe thotë se zhvendosja e pacientëve nga Gaza do të ofronte një lehtësim të konsiderueshëm për ekipet mjekësore dhe spitalet që janë në frontin e luftës për të siguruar trajtimin e nevojshëm në një zonë konflikti.

“Ne vlerësojmë se 8,000 Gazanë duhet të zhvendosen nga Gaza,” tha Rick Peppercorn, përfaqësuesi i OBSH-së në territoret palestineze, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë nëpërmjet video-konferencës nga Jerusalemi.

Nga 8,000 pacientë , rreth 6,000 janë viktima të luftës, lëndime të shumta, djegie dhe të amputuar. 2000 janë pacientë që nuk mund të marrin kujdesin që u nevojitet në Gaza, ku sistemi shëndetësor është në prag të kolapsit. Rick Peppercorn theksoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe autoritetet e Gazës, Izraelit dhe Egjiptit janë të përfshirë në procesin e ngadalshëm të parashikuar për transferimin e pacientëve.

“Ne do të donim të shohim dhe po bëjmë presion për një transport të organizuar dhe të mbështetur për të ofruar kujdes mjekësor, si për të mirën e pacientëve ashtu edhe për të lehtësuar disa nga presioni i madh mbi shërbimet shëndetësore të shkatërruara të Gazës,” tha Rick Peppercorn.

(Kosova Sot Online)