Ja kush i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitim

  • A.P /
  • 19 March 2024 - 15:25
Ja kush i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitim

Yulia Navalnaya, e veja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të refuzojë njohjen e presidentit Vladimir Putin si lider “legjitim” të shtetit, pas zgjedhjeve të fundjavës që “nuk kanë asnjë rëndësi”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Duke folur për mbështetësit e saj, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, më 19 mars, Navalnaya ka bërë thirrje që të mos ketë dorëzim në të bërit opozitë ndaj Putinit, i cili lehtësisht i ka fituar më shumë se 87 për qind të votave në mungesë të rivalëve pasi ata janë burgosur, ose u është ndaluar gara.

“Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk kanë asnjë kuptim. Putini dëshiron t’i tregojë botës se ka shumë mbështetje”, ka thënë Navalnaya.

“Këto zgjedhje janë kryer, por asgjë nuk është përfunduar. E kundërta, ne duhet të mbledhim forcën dhe të punojmë më fortë sesa më parë”, ka shtuar ajo.

Putin e ka shpallur fitoren për mandatin e pestë presidencial, pas zgjedhjeve të mbajtura më 15-17 mars, të cilat janë dënuar prej Perëndimit, duke u cilësuar si as të drejta, as të lira.

Besohet që përmes këtyre zgjedhjeve, Putin ka tentuar të fitojë përkrahje për luftën e nisur në Ukrainë dhe politikat e tij gjithnjë e më shtypëse.

Putin, 71-vjeçar, i cili ka udhëhequr në Rusi, qoftë si president, apo si kryeministër, prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë 30-vjeçare të Josef Stalinit, nëse do ta përfundojë këtë mandat të ri.

Kështu, ai do të mund të bëhet lideri rus që ka shërbyer më së gjati në dy shekujt e fundit.

Vëzhguesve të pavarur u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, për herë të parë në historinë post-sovjetike të Rusisë, kanë thënë ekspertët.

Në video, Navalnaya i ka lavdëruar rusët që kanë marrë pjesë në protestën e 17 marsit, që është organizuar nga ndihmësit e Navalnyt në Rusi dhe vende tjera.

Ajo aktualisht është duke jetuar jashtë Rusisë, mirëpo është zotuar se do ta vazhdojë luftën e burrit të saj “për një Rusi të mrekullueshme në të ardhmen”.

Burri i saj, Aleksei, ka vdekur më 16 shkurt, në një prej burgjeve më famëkeqe të Rusisë, në rrethana të dyshimta.

Navalnaya dhe shumë qeveri perëndimore e fajësojnë Putinin për vdekjen e kritikut të Kremlinit.


(Kosova Sot Online)