Antidroga kap personin që iu iku para dy javësh në Prizren, sekuestrohet marihuanë dhe qindra euro

  • G.G /
  • 01 April 2024 - 07:45
Antidroga kap personin që iu iku para dy javësh në Prizren, sekuestrohet marihuanë dhe qindra euro

Njësia e Antidrogës në Policinë e Kosovës ka zhvilluar një aksion gjatë ditës së djeshme që lidhet me një rast të para dy javësh, ku një person i dyshuar për shitblerje të drogës arriti të shpëtojë nga prangat dhe u arratis. Operacioni për kapjen e tij është kryer dje në mesditë dhe si rezultat i dyshuari është prangosur.

Siç ka mësuar Sinjali, i dyshuari është një 24-vjeçar, i cili kishte ikur nga Policia më 14 mars, gjatë një aksioni për kapjen e të dyshuarve.

Njëri prej tyre tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit, ndërsa edhe i riu që u kap dje është ndaluar për 48 orë.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, 24-vjeçari i dyshuar është arrestuar bashkë me një person tjetër me të cikin ndodhej, ku gjatë kontrollit policor, iu janë gjetur një sasi e marihuanës, qindra euro, pako të ndryshme që nevojiten për shpërndarjen e drogës dhe prova të tjera.

Dëshmitë e gjetura janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari kryesor të dërgohet në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është lënë i lirë.

Brenda afatit ligjor, pritet që edhe ndaj 24-vjeçarit të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

(Kosova Sot Online)